Klubi i basketbollit, Peja ka marrë vendim për suspendimin e amerikanit Daquan Bracey, pas sjelljeve që klubi i ka cilësuar si të papranueshme dhe joprofesionale.
Përmes një njoftimi zyrtar, Peja ka bërë të ditur se vendimi për suspendimin e Braceyt vjen si pasojë e sjelljeve të tij ndaj klubit, bashkëlojtarëve dhe stafit të trajnerëve.
Sipas klubit pejan, lojtari ka dëmtuar edhe imazhin e skuadrës përmes deklaratave dhe postimeve fyese në rrjetet sociale, të drejtuara ndaj tifozëve të Pejës.
Në njoftimin e publikuar, Peja ka theksuar se nuk do të tolerojë sjellje që cenojnë profesionalizmin, respektin dhe vlerat mbi të cilat funksionon klubi.
“KB Peja njofton opinionin publik se ka marrë vendim për suspendimin e lojtarit Daquan Bracey, për shkak të sjelljeve të papranueshme”, ka shkruar Peja.
29-vjeçari Bracey iu bashkua Pejës më 2 mars.
Peja është në krizë të rezultateve në Superligën e Kosovës. Ka shtatë disfata radhazi.