Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ZPS-ja pas aktgjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve: Do të vazhdojmë hetimet për pengim të drejtësisë

Kimberly West

Pas aktgjykimit të shpallur ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka njoftuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj të gjitha rasteve të pengimit të drejtësisë.

Përmes një komunikate, West ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale, duke thënë se vendimi dërgon mesazh se askush nuk është mbi përgjegjësinë ligjore, pavarësisht pozitës apo statusit të tij.

“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka deklaruar West.

West ka theksuar se përpjekjet për të ndërhyrë në proceset gjyqësore dhe për të zbuluar materiale konfidenciale cenojnë integritetin e drejtësisë dhe nuk mund të mbeten pa përgjigje institucionale.

“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre iu duhet dalë ballas”, ka thënë ajo.

Në komunikatë bëhet e ditur se akuzat në këtë rast janë ngritur në bazë të audioincizimeve të individualizuara dhe të fshehta, të realizuara me autorizimin e gjykatës, si dhe materialeve të sekuestruara.

Lexo përditësimet tjera
Hashim Thaçi

Reagimet pas shpalljes së dënimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë