Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete pas interpretimit të një kënge me pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës në hapjen e Forumit të Zgjerimit në Bruksel, më 15 nëntor.
Duke folur në takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, Gërvalla ka theksuar se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë realitete që nuk mund të mohohen nga askush.
Ajo e ka cilësuar të papranueshme përfshirjen e kësaj kënge në një aktivitet të Komisionit Evropian, duke vlerësuar se vetëm sqarimi i dhënë nga komisionerja Kos, se kënga nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit, nuk është i mjaftueshëm.
“Raste të tilla e dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij. Pikërisht sepse ne besojmë fort në projektin evropian, kërkojmë një partneritet të ndërtuar mbi standarde, respekt, përgjegjësi dhe seriozitet të ndërsjellë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ndërsa për Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, Gërvalla ka thënë se evidenton progres të kufizuar në Kapitullin 23 dhe mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit.
“Ne nuk i shmangemi këtij vlerësimi. E konsiderojmë atë si detyrim për t’i përshpejtuar reformat, pa cenuar cilësinë e tyre, dhe për të siguruar rezultate të matshme në zbatim”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka ritheksuar edhe orientimin evropian të Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve për të vazhduar reformat, por ka kërkuar që i njëjti nivel serioziteti dhe përgjegjësie të dëshmohet edhe nga partnerët evropianë.