Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Burnham: Britania është dobësuar në arenën ndërkombëtare që nga Brexit-i

Andy Burnham

Foto: Associated Press

Pozita e Britanisë në arenën ndërkombëtare është dobësuar gjatë dekadës që nga Brexit-i, ka deklaruar të hënën mbrëma kryeministri i vendit, Andy Burnham, duke lënë sërish të kuptohet se Partia Laburiste mund të heqë dorë nga vijat e saj të kuqe për Evropën në programin e ardhshëm zgjedhor.

Në një fjalim për politikën e jashtme, Burnham ka thënë se pas një samiti të rëndësishëm në Bruksel këtë javë, do të nisë diskutime të reja me Bashkimin Evropian për mundësitë e “marrëdhënies sonë afatgjatë”.

Megjithatë, kryeministri ka paralajmëruar se ky proces do të kërkojë kohë dhe, mes shqetësimeve të disa ministrave të kabinetit se rihapja e përçarjeve për Brexit-in mund të jetë gabim, ka këmbëngulur se “në çdo fazë, populli britanik do të jetë ai që do të vendosë”.

Pritet që Burnham të nisë paraqitjen e alternativave kryesore për krijimin e një marrëdhënieje më të ngushtë me BE-në, përfshirë një bashkim doganor, anëtarësimin në tregun e vetëm dhe rikthimin e plotë në bllok.

Ai pritet të theksojë se Partia Laburiste nuk do të ndërmarrë asnjë hap që kalon vijat e saj të kuqe deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Disa zyrtarë brenda qeverisë kanë sugjeruar se ai duhet të “frenojë pak” procesin e përmbysjes së Brexit-it, në vend që të nxitojë.

Burime nga zyra e kryeministrit kanë thënë për Guardian se Burnham dëshiron të “përcaktojë drejtimin e debatit”, dhe jo të shtyjë automatikisht vendin drejt një përfundimi të caktuar. Megjithatë, ato pranuan se kjo mund të jetë bërë më e vështirë pasi ai ka shprehur hapur preferencën e tij personale për rikthimin e Britanisë në BE.

Mbështetësit e Brexit-it kanë krijuar ditët e fundit dy grupe të veçanta fushate, me synimin për ta mbajtur Britaninë jashtë Bashkimit Evropian në rast se Burnham kërkon rikthimin e vendit në bllok.

Ndërkohë, ish-kryeministrat Boris Johnson dhe David Cameron, të cilët gjatë debatit për Brexit-in mbajtën qëndrime të kundërta, kanë shprehur rezerva ndaj kësaj lëvizjeje.

Burnham pritet të takohet me liderët evropianë në samitin e Brukselit të premten, për të siguruar marrëveshje që, sipas tij, mund ta rrisin Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Britanisë me 0.4 për qind, ose rreth 17 miliardë funte.

Marrëveshjet përfshijnë sektorin e ushqimit dhe bujqësisë, tregtimin e emetimeve të karbonit dhe një skemë për lëvizjen e të rinjve mes vendeve.