Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mushkolaj për projektin në Ulpianë: Banorët s’po kërkojnë kurrfarë “harmonizimi për planin arkitektonik”

lgjja ulpiane

Gazetari Imer Mushkolaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se banorët e lagjes “Ulpiana” nuk po kërkojnë kurrfarë “harmonizimi për planin arkitektonik” të lagjes. Sipas tij, ata kanë vetëm një kërkesë dhe ajo është për anulim të vendimit për ndërtime në “Ulpianë”.

Reagimi i tij ka ardhur pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas takimit Këshillin Iniciues të banorëve të lagjes “Ulpiana” i cili u mbajt të hënën.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është arritur dakordim që në takimin e radhës të konkretizohen së bashku propozimet e të harmizohen me planin arkitektonik. 

“Sot, bashkë me drejtorin e Planifikimit Bekim Ramku, mirëprita përfaqësuesit e banorëve të Ulpianës për të diskutuar për propozimet e tyre lidhur me këtë çështje. U dakorduam që në takimin e radhës t’i konkretizojmë bashkë propozimet dhe t’i harmonizojmë me planin arkitektonik. Zgjidhjen do ta ndërtojmë bashkë”, ka shkruar Rama në Facebook. 

Në anën tjetër, Këshilli Iniciues i banorëve të lagjes “Ulpiana”, ka thënë se Ramën e kanë njoftuar se qëndrimi i banorëve të lagjes është që nuk ka nevojë për objekt të ri e as për parking nëntokësor. 

“Kundër këtij projekti  banorët e Ulpianës kanë dorëzuar në Komunën e Prishtinës kërkesë për anulimin e vendimit për ndarjen e lokacionit për ndërtim. Gjithashtu Kryetari Rama u njoftua se, në rast se vendimi nuk anulohet, banorët do t’i shfrytëzojnë të gjitha instrumentet dhe mekanizmat ligjorë për shfuqizimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim. 

Caktimi i lokacionit për ndërtimin e një objekti të ri dhe një parkingu nëntokësor te “Fontana” në Ulpianë, ka nxitur reagime të shumta. Pas vendimit të Kuvendit Komunal, drejtori i Planifikimit Strategjik ka thënë se kjo po bëhet në kundër të përgatitjes për Lojërave Mesdhetare, mirëpo nga Ministria e Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se një projekt i tillë nuk është i paraparë për këtë ngjarje që më 2030 do të mbahet në Prishtinë.