Sean “Diddy” Combs është rikthyer të enjten në gjykatën federale të New Yorkut për të kërkuar anulim të dënimit për prostitucion ose zhvillim të një gjykimi të ri.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Arun Subramanian, i cili e shtyu vendimin dhe nuk dha një përgjigje të menjëhershme për kërkesën e mbrojtjes, ka raportuar BBC.
Producenti amerikan i muzikës, i akuzuar për drejtimin e një operacioni të gjerë të trafikimit seksual, është në paraburgim që nga shtatori i kaluar. Në korrik, ai u shpall fajtor në dy akuza për prostitucion. Për secilën akuzë, Combs mund të përballet me deri në 10 vjet burgim dhe dënimi i tij pritet të shpallet më 3 tetor.
Avokatët e tij thonë se dënimi ishte një “keqpërdorim i ‘Mann Act’”, ligj federal i miratuar për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin seksual të grave. Ata kërkojnë që gjykata të marrë parasysh se Combs nuk kishte motiv financiar dhe se “prokurorët e këtij rasti kanë humbur çdo perspektivë” duke kërkuar dënim të ashpër “jashtë çdo përpjesëtimi”.
Në një dokument të dorëzuar në gjykatë, avokatët theksojnë se reperi ka vuajtur mjaftueshëm.
“Jeta e tij jashtë burgut është shkatërruar sistematikisht. Statusi i tij si figurë e famshme në muzikë, modë, pije alkoolike, media dhe financa është rrënuar, ndërsa trashëgimia e tij është shkatërruar”, thuhet në dokument, duke shtuar se shtatë fëmijët e tij “e presin me dëshpërim rikthimin e tij në jetën e tyre”.
Gjatë seancës, avokatja Alexandra Shapiro e përshkroi Combsin si njeri që thjeshtë i pëlqente të prodhonte dhe shikonte pornografi amatore, ka shkruar CBS News, partneri mediatik i BBC-së në SHBA. Por gjyqtari e pyeti disa herë se çfarë lidhje kishte kjo me akuzat për transportim të personave për prostitucion sipas “Mann Act”.
Mbrojtja ka propozuar që Combs të mos marrë më shumë se 14 muaj burgim. Siç argumentojnë ata, duke qenë se ai është mbajtur në paraburgim federal që nga muaji shtator i vitit 2024, pjesën më të madhe të dënimit tashmë e ka vuajtur. Prokurorët, megjithatë, kërkojnë disa vite më shumë burgim.
Në muajin korrik, Combs u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, ato të komplotit për zhvatje dhe trafikim seksual që lidhen me ish-partneren e tij, këngëtaren, Casandra Ventura dhe një grua tjetër e njohur si “Jane”. Por ai u shpall fajtor për dy akuza më të lehta, organizimin e udhëtimeve ndër-shtetërore për persona të përfshirë në prostitucion.
Prokurorët argumentuan gjatë gjyqit se Combs kishte organizuar takime seksuale të paguara mes punëtorëve burra të seksit dhe të dashurave të tij, disa prej të cilave dëshmuan se ishin rrahur e goditur me shqelma nga ai.
Combs, 55 vjeç, i ka mohuar të gjitha akuzat. Dy herë gjyqtari ia refuzuar kërkesat për lirim me kusht.