Reperi dhe producenti Sean “Diddy” Combs u dënua të premten me 50 muaj burgim (katër vjet e dy muaj) pasi është shpallur fajtor për shkelje të Mann Act, ligj federal i miratuar më shumë se një shekull më parë kundër prostitucionit. Ai është në burg qe një vit.
Ani pse ai u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikimit seksual dhe të zhvatjes, në korrik u shpall fajtor për transportimin e njerëzve nëpër shtete të ndryshme të SHBA-së, përfshirë ish-të dashurat e tij dhe punëtorë meshkuj të seksit, me qëllim angazhimin në marrëdhënie seksuale të paguara, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Mann Act ndalon transportimin e dikujt përtej kufijve shtetërorë “me qëllim prostitucioni ose akte të tjera seksuale të paligjshme”.
Ligji është përdorur ndër vite kundër figurave të njohura, si këngëtari R. Kelly, bashkëpunëtorja e Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, muzikanti Chuck Berry dhe, më shumë se 100 vjet më parë, boksierit Jack Johnson.
Si lidhet ligji me rastin e Diddyt
Combs u shpall fajtor për dy raste që lidhen me ish-partneret e tij: këngëtaren R&B Cassie Ventura dhe një grua që dëshmoi me pseudonimin “Jane”.
Të dyja thanë në gjyq se ai i kishte detyruar të merrnin pjesë në maratona seksuale poshtëruese me të panjohur, të cilët paguheshin për performancat. Jane tha se një herë ishte rrahur nga Combs sepse refuzoi t’i bindej. Cassie dëshmoi se, kur tentoi të largohej nga një prej këtyre ngjarjeve, ai “e rrahu dhe e tërhoqi zvarrë në korridorin e hotelit”.
Prokurorët kërkonin për të një dënim mbi 11 vjet burgim, ndërsa avokatët e tij pretendonin se ai duhet të marrë jo më shumë se një vit, duke argumentuar se dëshmitë për dhunë ndaj grave nuk ishin pjesë e akuzës përfundimtare.
“Mëshira” e kërkuar nga gjykata
Para se të shpallej vendimi, 55 vjeçi, ka shkruar një letër katërfaqëshe drejtuar gjyqtarit Arun Sibramanian.
“Ju kërkoj mëshirë sot, jo vetëm për veten time, por për hir të fëmijëve të mi. Zoti më ka bekuar me 7 fëmijë të mrekullueshëm, 3 djem dhe 4 vajza. Kam dështuar si baba… Jam i tmerruar të kaloj edhe një sekondë larg nënës dhe fëmijëve të mi. Nuk më intereson më as fama, as paratë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se familja ime”, ka shkruar Combs në letër, raporton People.
Ai ka theksuar se ka humbur bizneset, shkollat që kishte themeluar dhe karrierën e tij, duke pranuar se ka “shkatërruar” dhe “njollosur” reputacionin e vet. Sipas tij, kjo rënie do të mund të shërbejë si mësim për të tjerët.
“Mes të gjitha humbjeve dhe mësimeve, mund ta them me siguri se nuk do të jem më kurrë në një sallë gjyqi penal. Nëse më jepni një shans, dua të ndaj historinë time me njerëzit për të parandaluar që të tjerët të bëjnë gabimet që kam bërë unë. Më bëni mua shembull të asaj se çfarë mund të arrijë një njeri nëse i jepet një mundësi e dytë”, ka shkruar tutje fituesi i çmimit “ikona globale” nga MTV.
Në letër, ai ka pranuar se vitet e fundit kanë qenë më të vështirat e jetës së tij.
“E humba rrugën time. U humba në udhëtim, në drogë dhe në tepricat e jetës. Rënia ime erdhi nga egoizmi im. Jam përulur dhe thyer deri në palcë. Burgun e kam ndjerë si thyerje mendore, fizike e shpirtërore… Por versioni im i vjetër ka vdekur në burg dhe një version i ri i imi u rilind. Nuk mund ta ndryshoj të kaluarën, por mund të ndryshoj të ardhmen”, thuhet në letër.
Ai ka pranuar gjithashtu publikisht dhunën ndaj ish-partneres Cassie Ventura, pasi gjatë gjyqit u shfaqën pamje ku ai shihej duke e goditur dhe shkelmuar.
“E humba mendjen. Isha krejtësisht gabim që vura duart mbi gruan që doja. Jam i penduar për këtë dhe gjithmonë do të jem. Dhuna ime në familje do të mbetet përgjegjësi e rëndë që do ta mbaj për gjithë jetën”, ka thënë Combs.
Themeluesi i “Bad Boy Records” ka thënë se gjatë kohës në burg është bërë për herë të parë “i pastër nga droga pas 25 vjetësh”, duke kaluar kohën duke lexuar, shkruar, bërë ushtrime dhe terapi.
Prokurorët kanë kërkuar që ai të dënohet me më shumë se 11 vite burg, ndërsa avokatët e tij po kërkojnë jo më shumë se 14 muaj, duke përfshirë edhe kohën që ai tashmë ka vuajtur që nga arrestimi.
Frika e Venturas
Para se të shpallej lartësia e dënimit Ventura, ka thënë se nëse P.Diddy, lirohet nga burgu, ajo frikësohet se do t’i hakmerret.
38 vjeçja, ishte e para që ngriti padi kundër Sean “Diddy” Combsit për dhunë e shantazh. Pas paditë së saj, vërshuan qindra padi kundër reperit me akuza të ngjashme.
Ventura ka shkruar një dokument tre-faqesh, ku ka thënë se i frikësohet hakmarrjes së Combsit, po që se ai lirohet nga burgu.
Ajo ka dëshmuar në gjyqin kundër tij në muajin maj, duke thënë se ai e ka detyruar të marrë pjesë në ngjarjet e ashtuquajtura “freak offs”, dhe ka pretenduar se reperi ka ushtruar dhunë seksuale e fizike përgjatë lidhjes së tyre, ndërmjet viteve 2007 dhe 2018.
Rolling Sone ka raportuar se të hënën se ajo ka i ka dërguar letër gjykatës.
“Katër ditë në muajin maj, ndërkohë që isha shtatzënë me djalin tim, kam dëshmuar përpara shumë personave në gjykatë rreth ngjarjeve më traumatike e të tmerrshme të të gjithë jetës time”, ka shkruar ajo.
Ylli në këtë letër tutje ka thënë që ka dëshmuar se që nga mosha 19 vjeçe, Combs ka përdorur dhunë, kërcënime, substanca narkotike dhe ka kontrolluar karrierën e saj në mënyrë që ta ngujojë atë në një dekade abuzimi.
“Ai më ka kuruar që të performoj në akte të vazhdueshme seksuale me punonjës seksi përgjatë ‘Freak-Off-eve’ që zgjatnin me ditë të tëra, të cilat ndodhnin pothuajse çdo javë”, ka shkruar ajo.
Tutje ajo ka thënë se detyrohej të veshte rroba të brendshme që i pëlqenin Combsit, i cili i tregonte si ta bënte çdo lëvizje, ndërkohë që e detyronte të konsumonte drogë e alkool në mënyrë që ta kontrollonte si të ishte ndonjë marionetë.
“Këto ngjarje ishin degraduese e të neveritshme, nga të cilat kam marrë infeksione, sëmundje e ditë të tëra me lodhje ekstreme fizike e emocionale para se të kërkonte të tërën të bëhej nga fillimi. Aktet seksuale ishin shndërruar në punën për mua, të përdorua si mënyra e vetme për ta mbajtur atë në disponim të mirë”, ka shkruar tutje ajo.
Në këtë letër të gjatë, këngëtarja ka thënë se frikësohet shumë se nëse lirohet, veprimi i parë që ai do të bëj është të hakmerret kundër saj dhe grave të tjera që kanë dëshmuar në gjyq për abuzimin e tij.
Ndërkohë, Ventura gjithashtu ka shkruar se juria “nuk duket se e kuptoi apo besoi që unë u përfshiva në të ashtuquajturat ‘freak offs’ për shkak të forcës dhe detyrimit që i pandehuri ushtroi mbi mua, por unë e di se kjo është e vërteta”.
Rënia e “mbretit”
Dikur ftesa për ndejat e organizuara nga reperi Sean “Diddy” Combs ishte një nga më të vlerësuarat në industrinë e argëtimit.
Me listë të ftuarish ku bënin pjesë emra si artistët Mariah Carey, Paris Hilton e Jennifer Lopez e Justin Biber, këto ftesa paraqisnin një shans të mirë takimi me njerëz të profilit të lartë në botën e showbizit.
“Kur Diddy ta bënte me sy e të ftonte në zonën VIP, e dije se do ta kaloje një natë përnjëmend të mrekullueshme”, pati thënë për BBC, Rob Shuter, i cili ka punuar si këshilltar për marrëdhënie me publikun i reperit në kohën kur ai ishte në kulmin e famës.
Rënia e Combsit nga “skena” ishte diçka e shpejtë, me padi të njëpasnjëshme për krime të rënda seksuale.
Tony Buzbee, një avokat nga Teksasi, ka qenë përfaqësues i më shumë se 100 viktimave, që pretenduan se janë abuzuar seksualisht nga Combsi.
Reperi i lindur në Harlem vazhdimisht i ka mohuar akuzat.
Shuter, i cili ka punuar për Combsin që nga viti 2002 deri në vitin 2004, ka thënë se kur filloi punën, shefi i tij ishte në momente shumë të rëndësishme në karrierë.
Combs kishte themeluar kompaninë “Bad Boy Records” në vitin 1993, llejbëll që përfaqësonte emrat më të mëdhenj të muzikës hip-hop, përfshirë Nototious B.I.G. dhe Usher.
Në vitin 1998, Combs krijoi brendin e veshjeve “Sean John”. Që atëherë filloi të merrej edhe me parfumet e alkoolin. Krijoi edhe një kompani mediale ku shfaqeshin programe të natyrës së “reality tv” ku zbuloheshin talentë të rinj.
Shuter pati thënë se kur iu bashkua për herë të parë botës së reperit, Combs donte ta lartësonte figurën e tij, duke i përdorur ndejat për ta mbajtur veten në qendër të industrisë argëtuese.
“Ai nisi të besonte se do të arrinte në qendër të vëmendjes duke u bërë mbreti i ndejave të New Yorkut”, pati thënë Shuter, duke shtuar se puna e tij ishte t’i ndihmonte yllit të qëndronte në maja.
“Është sikur të jesh pjesë e ndonjë cirku, ku Diddy ishte drejtuesi”, pati shtuar ish-bashkëpunëtori.
Shuter pati shtuar se asnjëherë nuk kishte parë diçka të keqe të ndodhte, sa u përket krimeve seksuale, për të cilat akuzohet reperi.
“Nuk kam parë asnjëherë të ndodhë ndonjë krim që tani pretendohet se kanë ndodhur, gjë që është shqetësuese”.
Ai tutje pati thënë se reperi ishte tejet i fokusuar në vetveten. “Hobi i Diddyt është ‘Diddy’”, është shprehur ai.
Shuter pati treguar se Combs ka pasur fiksim të thellë për familjen mbretërore britanike, duke shtuar se i kujtohet kur Diddy i pati kërkuar më shumë 10 herë që t’i ftonte princat, Harry e William, në ndeja, duke iu ofruar atyre mbulim të shpenzimeve të udhëtimit, qëndrimin e edhe sigurinë.
Në apartamentin e tij luksoz në New York, reperi mbante në muri fotografi të princave.
“Atij i dukej vetja sikur të ishte mbret, prandaj ka plotësisht kuptim që donte t’i kishte të dy princat, në rrethin e tij të ngushtë. Por, të dy, Harry e William, asnjëherë nuk e kanë pranuar asnjë ftesë nga Combs”, pati shpjeguar Shuter.
Por t’i thuash “jo” magnatit të muzikës nuk ishte diçka që bënin shumica e njerëzve.
“Kishte gjithmonë armë përreth Diddyt”, ka treguar ai, teksa ka përshkruar detektorët metalikë në banesën e tij që ka thënë se ngjanin me ato të një aeroporti. “Ishte e çuditshme”, pati theksuar Shuter.
“Nuk mund të jesh Diddy nëse njerëzit përreth teje nuk janë të besueshëm. Askush përreth tij nuk ishte ndonjë person i pakujdesshëm”, pati shpjeguar Shuter.
Historia e “Mann Act” dhe si ndryshoi me kohën
Ligji u miratua në vitin 1910 dhe mban emrin e kongresmenit republikan James Robert Mann nga Illinois. Fillimisht njihej edhe si “White-Slave Traffic Act” (Ligji kundër trafikimit të grave të bardha).
Ai ndalonte transportin e “çdo gruaje ose vajze për qëllim prostitucioni, shthurjeje ose çdo qëllimi tjetër imoral”.
Në vitin 1913, ligji u përdor për të dënuar boksierin Jack Johnson, kampionin e parë të botës afroamerikan në kategorinë e rëndë. Ai u shpall fajtor nga një juri tërësisht e bardhë për udhëtimin me të dashurën e tij të bardhë, e cila punonte si punëtore seksi. Në vitin 2018, presidenti Donald Trump e fali pas vdekjes, duke e quajtur “një padrejtësi me motive racore”.
Në vitin 1917, Gjykata Supreme interpretoi se “marrëdhëniet e paligjshme”, edhe kur ishin me konsensus, përbënin një “qëllim imoral.”
Në vitin 1986, ligji u ndryshua, u bë neutral për gjininë dhe termat “shthurje” e “qëllim imoral” u zëvendësuan me “çdo aktivitet seksual për të cilin një person mund të akuzohet për vepër penale”.
Ligji u plotësua përsëri në vitet 1978 dhe 1994, duke u fokusuar në shfrytëzimin seksual të fëmijëve.