Showbiz

P.Diddy kërkon “mëshirën” e gjykatësit

P.Diddy në gjyq

P.Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Reperi, Sean “Diddy” Combs i është drejtuar me një letër gjyqtarit përpara shpalljes së dënimit, duke kërkuar “mëshirë”.

55 vjeçi, po qëndron në paraburgim  që nga muaji shtator i vitit 2024 dhe të premten (3 tetor 2025) do t'i jepet dënimi për dy akuza të transportimit për angazhim në prostitucion. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të trafikimit seksual dhe të zhvatjes, por përballet me dënim të rëndë.

Ai ka shkruar një letër katërfaqëshe drejtuar gjyqtarit Arun Sibramanian.

“Ju kërkoj mëshirë sot, jo vetëm për veten time, por për hir të fëmijëve të mi. Zoti më ka bekuar me 7 fëmijë të mrekullueshëm, 3 djem dhe 4 vajza. Kam dështuar si baba… Jam i tmerruar të kaloj edhe një sekondë larg nënës dhe fëmijëve të mi. Nuk më intereson më as fama, as paratë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se familja ime”, ka shkruar Combs në letër, raporton People.

Ai ka theksuar se ka humbur bizneset, shkollat që kishte themeluar dhe karrierën e tij, duke pranuar se ka “shkatërruar” dhe “njollosur” reputacionin e vet. Sipas tij, kjo rënie do të mund të shërbejë si mësim për të tjerët.

“Mes të gjitha humbjeve dhe mësimeve, mund ta them me siguri se nuk do të jem më kurrë në një sallë gjyqi penal. Nëse më jepni një shans, dua të ndaj historinë time me njerëzit për të parandaluar që të tjerët të bëjnë gabimet që kam bërë unë. Më bëni mua shembull të asaj se çfarë mund të arrijë një njeri nëse i jepet një mundësi e dytë”, ka shkruar tutje fituesi i çmimit “ikona globale” nga MTV.

Në letër, ai ka pranuar se vitet e fundit kanë qenë më të vështirat e jetës së tij.

“E humba rrugën time. U humba në udhëtim, në drogë dhe në tepricat e jetës. Rënia ime erdhi nga egoizmi im. Jam përulur dhe thyer deri në palcë. Burgun e kam ndjerë si thyerje mendore, fizike e shpirtërore… Por versioni im i vjetër ka vdekur në burg dhe një version i ri i imi u rilind. Nuk mund ta ndryshoj të kaluarën, por mund të ndryshoj të ardhmen”, thuhet në letër.

Ai ka pranuar gjithashtu publikisht dhunën ndaj ish-partneres Cassie Ventura, pasi gjatë gjyqit u shfaqën pamje ku ai shihej duke e goditur dhe shkelmuar.

“E humba mendjen. Isha krejtësisht gabim që vura duart mbi gruan që doja. Jam i penduar për këtë dhe gjithmonë do të jem. Dhuna ime në familje do të mbetet përgjegjësi e rëndë që do ta mbaj për gjithë jetën”, ka thënë Combs.

Themeluesi i “Bad Boy Records” ka thënë se gjatë kohës në burg është bërë për herë të parë “i pastër nga droga pas 25 vjetësh”, duke kaluar kohën duke lexuar, shkruar, bërë ushtrime dhe terapi.

Prokurorët kanë kërkuar që ai të dënohet me më shumë se 11 vite burg, ndërsa avokatët e tij po kërkojnë jo më shumë se 14 muaj, duke përfshirë edhe kohën që ai tashmë ka vuajtur që nga arrestimi.