Showbiz

Paris Hilton kërkon drejtësi kundër pornografisë së manipuluar me AI

Paris Hilton

Paris Hilton

Foto: Associated Press

Ylli i njohur televiziv, Paris Hilton, ka bërë thirrje për ndryshime ligjore të menjëhershme për të luftuar pornografinë “deepfake”, duke thënë se “asnjë sasi parash apo avokatësh nuk mund ta ndalë këtë”.

Deepfake është manipulim digjital me inteligjencë artificiale, ku pamja ose zëri i një personi përdoret pa leje për të krijuar përmbajtje të rreme, shpesh mashtruese ose abuzuese.

Ajo ka theksuar se ligji duhet të ndryshojë për të mbrojtur brezin e ardhshëm të vajzave dhe grave.

44 vjeçja, ka udhëtuar të enjten (22.01.26) drejt Washingtonit për të mbështetur ligjin Disrupt Explicit Forged Images and Non-Consensual Edits Act (DEFIANCE Act), ka raportuar Business Insider.

Ky ligj do t’u japë viktimave të pornografisë deepfake të drejtën të ndjekin ligjërisht personat që krijojnë dhe shpërndajnë këto materiale.

Gjatë fjalimit në Capitol Hill, Hilton ka folur edhe për përvojën e saj personale pas publikimit pa pëlqimin e saj të videos intime në vitin 2004, ku shfaqej me ish-partnerin Rick Salomon.

“Kur u ktheva sot në Capitol, ndjeva diçka të re: forcë. Kur isha 19 vjeçe, një video private, intime e imja u shpërnda në gjithë botën pa pëlqimin tim”, ka thënë ajo.

Ylli ka theksuar se ajo që ndodhi nuk ishte skandal, por abuzim.

“Njerëzit e quajtën skandal. Nuk ishte. Ishte dhunë. Nuk kishte ligje që të më mbronin. As fjalë për të përshkruar atë që më ishte bërë”, ka thënë ajo.

Hilton ka përshkruar mënyrën se si u trajtua nga opinioni publik dhe media.

“Më quajtën me emra, qeshën me mua dhe më kthyen në objekt talljeje. Dhimbja ime u shit për klikime, dhe më thanë të heshtja, të ecja përpara, madje të isha mirënjohëse për vëmendjen”, ka treguar ajo.

Ajo ka shtuar se askush nuk pa pasojat e vërteta që kjo përvojë pati për të.

“Askush nuk pyeti çfarë humba. Humba kontrollin mbi trupin tim, mbi reputacionin tim. M’u mor ndjenja e sigurisë dhe vetëvlerësimi”, ka thënë ajo.

Hilton ka thënë se viktimizimi i saj nuk ka përfunduar, pasi sot ajo vazhdon të përballet me pornografinë deepfake.

“Mendova se më e keqja kishte kaluar, por nuk ishte e vërtetë. Ajo që më ndodhi mua po u ndodh sot miliona grave dhe vajzave, në një formë edhe më të frikshme”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, sot mjafton një kompjuter dhe imagjinata e një të panjohuri.

“Pornografia deepfake është kthyer në epidemi”, ka thënë ajo.

Hilton ka zbuluar se ekzistojnë mbi 100 mijë imazhe pornografike deepfake me fytyrën e saj, të krijuara nga inteligjenca artificiale.

“Asnjë prej tyre nuk është reale. Asnjë nuk është me pëlqimin tim. Dhe sa herë që shfaqet një e re, ajo ndjesi tmerri rikthehet, frika se dikush diku po e sheh dhe po mendon se është e vërtetë”, ka thënë ajo.

Ylli tutje ka theksuar se edhe pasuria dhe fuqia ligjore nuk mjaftojnë.

“Asnjë sasi parash apo avokatësh nuk mund ta ndalë këtë. Është forma më e re e viktimizimit masiv, që po u ndodh vajzave, motrave, shoqeve dhe fqinjëve tanë”, ka thënë ajo.

Hilton ka folur edhe si nënë, duke përmendur vajzën e saj dyvjeçare, London.

“Tani kam një vajzë dy vjeç e gjysmë dhe do të bëja gjithçka për ta mbrojtur. Por nga kjo, ende nuk mundem”, ka thënë ajo.

Ajo e ka përshkruar këtë problem si çështje pushteti dhe dinjiteti.

“Kjo nuk është vetëm teknologji. Është përdorimi i pamjes së dikujt për ta poshtëruar, heshtur dhe zhveshur nga dinjiteti. Viktimat meritojnë më shumë se kërkesa faljeje pas faktit. Ne meritojmë drejtësi”, ka thënë ylli.

Në fund të fjalimit, Hilton, ka thënë se ndarja e së vërtetës e ka ndihmuar të shërohet.

“Unë pata platformën për ta rimarrë historinë time, por shumë të tjerë nuk e kanë. Kur imazhi yt shkelet, ai nuk zhduket. Jeton brenda teje, por aty jeton edhe forca jote”, ka thënë ajo.

Hilton e ka përmbyllur fjalimin duke thënë se tani qëndron pa turp, si grua, bashkëshorte e nënë e mbijetuar.

“Sot qëndroj këtu pa turp. Jam Paris Hilton, grua, bashkëshorte, nënë, e mbijetuar. Ajo që më ndodhi ishte e gabuar. Dhe do të vazhdoj ta tregoj të vërtetën për të mbrojtur çdo grua, çdo vajzë dhe çdo të mbijetuar, sot dhe në të ardhmen”, ka thënë ajo.