Ylli i njohur televiziv, Paris Hilton, ka treguar se nuk ka marrë asnjë ndihmë financiare nga prindërit e saj që nga momenti kur i ka mbushur 18 vjeç.
44-vjeçja ka pranuar se për të paratë lidhen drejtpërdrejt me lumturinë, sepse siç ka theksuar ajo, i ka fituar vetë, pas shumë pune dhe përpjekjesh, ka raportuar FemaleFirst.
Ajo ka thënë se suksesi për të përfaqëson “liri”, sidomos pas përvojave traumatike që ka kaluar si adoleshente.
Hilton ka pohuar më herët se gjatë qëndrimit në Provo Canyon, një qendër rezidenciale psikiatrike për të rinj në Utah, ka përjetuar “dhunë verbale, fizike, emocionale dhe psikologjike”.
E pyetur nga revista Us Weekly nëse paratë do të thonë lumturi për të, ajo u përgjigj me po.
“Po, sepse kam punuar shumë fort dhe suksesi ka qenë gjithmonë një forcë shtytëse për mua. Pas asaj që kam kaluar në ato shkolla, i premtova vetes se do të bëhesha aq e suksesshme sa askush të mos më thoshte më kurrë çfarë të bëja. Prandaj, për mua kjo është liri. Nuk kam marrë asgjë nga prindërit e mi që kur mbusha 18 vjeç. Kam punuar që nga mosha 16-vjeçare. Çdo gjë e kam bërë vetë”, ka thënë ajo.
Hilton dhe bashkëshorti i saj, Carter Reum, janë prindër të djalit Phoenix, tre vjeç, dhe vajzës London, dy vjeçe.
Ajo ka theksuar se nuk dëshiron t’i “lazdrojë” fëmijët e saj, sepse beson se kjo mund t’u shkaktojë pasoja negative afatgjata.
“Nëse i lazdroni fëmijët, i shkatërroni. Kjo është diçka për të cilën flasim shpesh me bashkëshortin tim. Ne duam t’u ofrojmë një jetë të bukur dhe t’i bëjmë të lumtur, por duam edhe t’u mësojmë etikën e punës”, ka thënë ajo.
Ylli ka pranuar se vjen nga një familje e privilegjuar, por ka cekur se kjo i ka dhënë mundësinë të mësojë nga njerëz shumë të suksesshëm në biznes.
“Kam parë shumë njerëz që vijnë nga familje prestigjioze dhe që nuk kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre. Kam parë sa të palumtur janë. Ata nuk kanë asnjë ndjenjë përmbushjeje, sepse gjithçka u jepet e gatshme”, ka thënë ajo.
Sa i përket jetës familjare, ylli ka thënë se është më e lumtur se kurrë me Carter Reum, si bashkëshort dhe si baba.
“Ai është shumë i ëmbël, argëtues, i butë dhe një baba i jashtëzakonshëm. Fëmijët e duan shumë. Ne jemi prindër shumë të mirë”, u shpreh ajo.
Hilton ka treguar se që në fillim kishte ndier se Carter ishte i veçantë.
“Unë mund ta shikoj dikë në sy dhe ta kuptoj nëse është një njeri i mirë apo jo. Kur ai më shikoi dhe buzëqeshi, e ndjeva që kishte diçka të veçantë”, ka thënë ajo.
Krijuesja e hitit “Stars are Blind” e përshkroi bashkëshortin si një njeri me vlera të larta familjare.
“Ai është i sjellshëm, i durueshëm, besnik, gazmor dhe plot dashuri. Më mbështet dhe më ngre lart në një mënyrë që askush tjetër nuk e ka bërë më parë”, ka thënë ajo.