Paris Hilton dhe Lindsay Lohan kanë lënë pas përfundimisht konfliktin e tyre të njohur nga vitet 2000 dhe tani po shijojnë një kapitull të ri si nëna. Paris, 44 vjeçe, ka treguar se ajo dhe aktorja 39-vjeçare po planifikojnë që fëmijët e tyre të takohen, duke theksuar se marrëdhënia e tyre sot është shumë pozitive.
Duke folur në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, Paris tha se është shumë e lumtur për Lindsayn.
“Po planifikojmë t’i mbledhim fëmijët bashkë. Jam shumë e lumtur për të. Ajo po shkëlqen. Ne e duam ndjesinë e të qenit nëna”, ka deklaruar Hilton. Paris është nënë e Phoenix, tre vjeç, dhe London, dy vjeçe, me bashkëshortin Carter Reum.
Nga ana tjetër, ylli i filmit “Freaky Friday”, Lindsay Lohan, ka një djalë dyvjeçar, Laui, me bashkëshortin e saj Bader Shammas. Paris ka treguar se i ka dhënë edhe këshilla për mëmësinë, duke e inkurajuar që të shijojë çdo moment me fëmijën. “Këshilla ime është të përjetosh çdo çast, sepse janë momente shumë të çmuara”, ka thënë ajo.
Rivaliteti mes dy figurave të njohura ishte shumë i përfolur dhe daton nga viti 2006, kur Paris u pa duke qeshur gjatë një interviste ku shoku i saj Brandon Davis fyente publikisht Lindsay Lohan. Komentet e tij u konsideruan ofenduese dhe nxitën një përplasje të gjatë mes dyshes, ndonëse përfaqësuesi i Parisit mohoi se ajo ndante të njëjtin qëndrim.
Përplasja u përshkallëzua më vonë edhe me deklarata nga ana e Lindsayt, e cila e kishte tallur Parisin për videon e saj intime. Megjithatë, vitet kanë kaluar, raportet janë qetësuar dhe sot të dyja yjet duket se janë fokusuar te familja dhe roli i tyre si nëna, duke lënë pas konfliktet e së shkuarës.