Një shkollë rezidenciale për vajza në Utah, ku ylli televiziv, Paris Hilton, ka deklaruar se ka përjetuar abuzim gjatë adoleshencës, ka humbur licencën e funksionimit pas shkeljeve të konstatuara nga autoritetet shtetërore, ka raportuar BBC.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në Utah vendosi anulimin e licencës së "Provo Canyon School", duke përmendur raste të përdorimit të panevojshëm të forcës fizike, kontakte agresive dhe neglizhencë ndaj nxënësve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAutoritetet kanë urdhëruar që të gjitha shërbimet në kampusin e vajzave të përfundojnë deri më 6 gusht.
Hilton, e cila prej vitesh ka kërkuar mbylljen e këtij institucioni dhe ka dëshmuar edhe para Kongresit amerikan për përvojën e saj, ka thënë se vendimi konfirmon atë që ish-banoret kanë treguar prej dekadash.
“Për më shumë se 50 vjet, fëmijët kanë folur për abuzim, neglizhencë dhe trauma. Sot shteti konfirmoi atë që të mbijetuarit e dinin gjithmonë: Provo Canyon School dështoi ndaj fëmijëve që kishte nën kujdes. Unë isha një prej tyre”, ka thënë ajo.
Ylli ka shtuar se e di si është të qash për ndihmë dhe të besosh se askush nuk po vjen.
“Sot, fëmijët që janë ende aty e dinë se më në fund dikush po vjen për t’i mbrojtur”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesit e shkollës kanë deklaruar se po shqyrtojnë mundësinë e apelimit të vendimit.
“Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit të sigurt dhe cilësor për adoleshentët dhe familjet e tyre. Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të ndihmojmë ata që kanë nevojë”, thuhet në deklaratën e institucionit.
Provo Canyon School përshkruhet si një qendër rezidenciale psikiatrike për të rinj nga mosha 12 deri në 18 vjeç. Institucioni ka qenë prej kohësh objekt kritikash nga ish-banoret dhe aktivistët.
Hilton qëndroi rreth një vit në këtë shkollë në vitet 1990, kur ajo ishte nën një menaxhim tjetër. Në dokumentarin për jetën e saj të publikuar në vitin 2020, ajo ka pretenduar se gjatë qëndrimit aty ishte keqtrajtuar fizikisht, ishte detyruar të merrte medikamente dhe ishte izoluar si pjesë e programeve të “korrigjimit të sjelljes”.
Ajo ka kritikuar prej vitesh të ashtuquajturën “industrinë e adoleshentëve problematikë”, një rrjet institucionesh private që ofrojnë programe trajtimi për të rinj me probleme të sjelljes.
Në vitin 2024, Hilton ka dëshmuar para Kongresit amerikan dhe ka kërkuar ligje më të forta për mbrojtjen e adoleshentëve në qendra të tilla.