Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të detyruara ta thërrisnin “babi”: Abuzimi seksual në qendrën për personat me aftësi të kufizuara

ABUZIME

Një rast i rëndë abuzimi seksual në një qendër shtetërore për personat me aftësi të kufizuara ka tronditur Korenë e Jugut. Drejtori i qendrës u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa hetimet kanë ngritur dyshime se mund të ketë edhe viktima të tjera. Rasti ka nxitur kritika ndaj institucioneve për mënyrën se si u mbrojtën banorët dhe si u zhvillua hetimi

(BBC) - “Po vuaja nga brenda, ndaj erdha të tregoj historinë time”.

Këto ishin fjalët e para që Seo Mi-hyeon i tha policisë.

Seo, e cila ka aftësi të kufizuara intelektuale, e ka të vështirë të formojë fjali të gjata dhe mund të komunikojë kryesisht me fjalë të shkurtra dhe gjeste. Megjithatë, kujtimet e saj për abuzimin që kishte përjetuar ishin të qarta.

Ajo ishte njëra nga tri banoret e një qendre shtetërore të kujdesit për personat me aftësi të kufizuara në Korenë e Jugut, të cilat dyshohet se u sulmuan seksualisht nga drejtori i qendrës. Rasti ka tronditur vendin dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si shteti kujdeset për personat me aftësi të kufizuara.

Në fillim të këtij muaji, një gjykatë në Seul e dënoi drejtorin, i cili është identifikuar vetëm me mbiemrin Kim, me 15 vjet burgim. Kim ka mohuar akuzat dhe ka apeluar vendimin.

Gjatë gjykimit u bë e ditur se disa nga banorët ishin detyruar ta thërrisnin drejtorin “babi”. Prokurorët thanë se kjo tregonte marrëdhënien e pabarabartë të pushtetit mes Kim dhe personave që ishin nën kujdesin e tij.

Vendimi i gjykatës u dha pothuajse dy vjet pasi Seo, e cila është në të 40-at, i tregoi për herë të parë nënës së saj për abuzimin.

Emri i Seos dhe i një tjetër viktime është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.

“Thjesht e durova”

Seo filloi të jetonte në Saekdongwon, një qendër për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, në vitin 2016.

Qendra ndodhet në qytetin Incheon dhe financohet tërësisht nga shteti. Aty ende jetojnë rreth 33 persona, megjithëse autoritetet kanë kërkuar mbylljen e saj pas këtij rasti.

Sipas Seos, abuzimi nisi pak kohë pasi ajo u vendos në qendër. Ajo tha se Kim shkonte tek ajo gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit dhe e përdhunonte.

Përmes avokates së saj, Ko Eun-young, Seo tha se në qendër nuk kishte asnjë të rritur të cilit mund t’i tregonte për abuzimin. Ajo tha gjithashtu se mendonte se punonjësit e tjerë nuk do ta ndihmonin. Qendra nuk ka reaguar ndaj kësaj akuze.

Kjo vazhdoi për gati 10 vjet, deri në shkurt të vitit 2025, kur rasti doli në dritë pasi Seo pësoi një dëmtim në kokë.

Ajo tha se dëmtimi ndodhi gjatë një prej rasteve kur Kim tentoi ta sulmonte seksualisht. Seo u përpoq ta ndalonte duke e bllokuar me duar, ndërsa Kim i hodhi një gotë dhe e goditi në kokë.

Avokatja e saj tha në gjykatë se qendra e dërgoi Seon në spital dhe njoftoi nënën e saj për incidentin vetëm pasi plaga në kokë ishte qepur.

Sipas avokates, nëna e Seos kërkoi të shihte pamjet e kamerave të sigurisë për të kuptuar se si ishte dëmtuar vajza e saj. Por qendra refuzoi t’ia jepte pamjet, duke thënë se nuk kishte autorizim për t’i publikuar ato.

Pas kësaj, nëna e mori Seon në shtëpi dhe vendosi që ajo të mos kthehej më në qendër. Vetëm pasi Seos iu tha se nuk do të duhej të kthehej më atje, ajo vendosi t’i tregonte nënës për abuzimin seksual. Nëna më pas e denoncoi rastin në polici.

“Mendova se ishte e sigurt të flisja, sepse më thanë se nuk do të duhej të kthehesha në Saekdongwon”, tha Seo për BBC-në përmes avokates së saj.

Kur u pyet se si kishte mundur ta përballonte e vetme situatën për kaq shumë vite, ajo u përgjigj:

“Thjesht e durova”.

Pas dëshmisë së Seos, policia e zgjeroi hetimin edhe te banorët e tjerë.

Hetuesit identifikuan të paktën dy viktima të tjera të dyshuara, mes tyre Lee Mi-Na, e cila tha se edhe ajo ishte përdhunuar nga Kim.

Në fillim të këtij muaji, gjykatësi i konsideroi të besueshme dëshmitë e të tria grave.

Kim u dënua me 15 vjet burgim për përdhunimin e Lee dhe Seos, pesë vjet më pak se dënimi që kishte kërkuar prokuroria. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka apeluar vendimin.

Për viktimën e tretë, Kim u shpall fajtor për një vepër më të lehtë të dhunës seksuale. Gjykatësi tha se akuza për përdhunim u rrëzua, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme se ndaj saj ishte përdorur “forcë ose kërcënim” që ta bënte të paaftë për të rezistuar.

Një komitet i përbashkët, i përbërë nga organizata për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe grupe të tjera qytetare, e kritikoi këtë vendim. Sipas tyre, aftësia e një viktime për të rezistuar nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si gjykohet një rast sulmi seksual.

Komiteti ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si u zhvillua hetimi, duke thënë se autoritetet nuk arritën të identifikonin viktima të tjera të mundshme.

Në nëntor të vitit të kaluar, pas akuzave të para për abuzim, autoritetet lokale të qarkut Ganghwa angazhuan një ekip nga Universiteti Woosuk për të kryer një vlerësim të detajuar të banorëve të Saekdongwon.

Raporti i ekipit, i cili iu dorëzua gjykatës si provë, tregonte se mund të kishte edhe shumë banorë të tjerë që ishin abuzuar seksualisht nga Kim. Sipas raportit, numri i tyre mund të arrinte të paktën në 10 persona.

Megjithatë, gjatë gjykimit, gjykata nuk e trajtoi këtë gjetje.

Sipas mediave lokale, policia e pati të vështirë të merrte informacione të plota për abuzimet gjatë marrjes në pyetje të banorëve, pasi shumica e tyre kishin aftësi të kufizuara të rënda dhe vështirësi në komunikim. Disa prej tyre raportohet se jepnin përgjigje që nuk lidhej me pyetjet ose nuk përgjigjeshin fare.

Kim nuk ka reaguar ndaj akuzave se mund të ketë abuzuar edhe me banorë të tjerë.

Jeon Ji-su, profesoresha që drejtoi ekipin e Universitetit Woosuk, tha për BBC-në se hetuesit kishin pranuar “vetëm dëshmitë e personave që mund ta përshkruanin abuzimin me fjali të plota”.

Aktivistët thanë se kjo mënyrë e vlerësimit të dëshmive bëri që policia të mos i konsideronte viktima disa prej banorëve që kishin më shumë vështirësi në komunikim.

“Nëse viktimat i shprehin përvojat e tyre ndryshe nga mënyra që ne presim, a nuk duhet që shteti të bëjë më shumë përpjekje për t’i dëgjuar?” tha Baek In-seong, nga Hansahoe, një qendër këshillimi për personat me aftësi të kufizuara që kanë mbijetuar dhunën seksuale.

Policia ka thënë se “mund të ketë pasur mangësi në raste të veçanta, por ato nuk duhet të konsiderohen si përfaqësuese të të gjithë hetimit”.

Organizatat për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara kanë kritikuar edhe personat dhe organizatat që kanë kërkuar një dënim më të butë për Kim.

Para shpalljes së vendimit, në gjykatë ishin dorëzuar 13 kërkesa për lehtësimin e dënimit. Njëra prej tyre, e paraqitur nga një organizatë e mirëqenies sociale, kërkonte që gjykata të merrte parasysh “kontributin e të pandehurit në sektorin e mirëqenies sociale”.

Organizata “Gyeol”, e cila mbron të drejtat në sektorin e mirëqenies sociale, i dënoi këto kërkesa, duke thënë se “puna e mëparshme në sektorin e mirëqenies sociale nuk e përjashton askënd nga përgjegjësia”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se vepra e Kim ishte “veçanërisht e rëndë”, pasi, pavarësisht detyrës së tij profesionale për të mbrojtur dhe mbështetur të drejtat dhe interesat e viktimave dhe për të parandaluar abuzimin, ai shfrytëzoi pozitën e pabarabartë të pushtetit ndaj tyre për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.

Vëmendja publike dhe protestat

Rasti ka tronditur shumë njerëz në Korenë e Jugut dhe ka ngritur pikëpyetje se përse abuzimi nuk u parandalua që në fillim. Rasti është edhe më shqetësues, pasi ndodhi pavarësisht ndryshimeve ligjore të vitit 2011, që synonin forcimin e mbrojtjes së personave me aftësi të kufizuara nga sulmet seksuale.

Në atë vit u shfaq filmi artistik “Dogani”, i bazuar në një histori të vërtetë të abuzimit seksual në një shkollë për fëmijë që nuk dëgjojnë. Pas reagimit të madh publik dhe protestave, shkolla u mbyll dhe u miratuan ligje më të ashpra.

Ndryshimet ligjore përfshinë përcaktimin më të qartë të veprave seksuale ndaj personave me aftësi të kufizuara, dënime më të rënda për veprat e kryera nga drejtorët dhe punonjësit e institucioneve, si dhe heqjen e afatit të parashkrimit për disa raste përdhunimi ndaj viktimave me aftësi të kufizuara.

Megjithatë, në rastin e Saekdongwonit, abuzimi vazhdoi pavarësisht kontrolleve të rregullta nga qarku Ganghwa, autoriteti lokal përgjegjës për mbikëqyrjen e qendrës.

Një zyrtar i qarkut i tha BBC-së se këto kontrolle përqendroheshin kryesisht te dokumentacioni, ndërsa banorët merreshin në pyetje vetëm kur paraqitej ndonjë problem i veçantë.

Sipas tij, kishte edhe një ekip të jashtëm monitorimi, por ai nuk kishte marrë asnjë raportim për abuzime nga punonjësit. Zyrtari shprehu keqardhje që autoritetet nuk e kishin shqyrtuar më nga afër situatën në qendër.

Jo Ha, përfaqësuese e këshillit kombëtar të një qendre këshillimi që ka mbështetur disa prej viktimave të Saekdongwonit, tha se disa familje me të cilat kishte folur dyshonin se kishte abuzime, por ndiheshin të paafta për t’i ngritur këto shqetësime.

Largimi nga një institucion i tillë do të nënkuptonte që familja të merrte përsipër të gjithë kujdesin për personin, ndërsa gjetja e një qendre tjetër është e vështirë.

Një sondazh i kryer përmes një shoqate kombëtare të prindërve të personave që jetojnë në qendra rezidenciale për njerëzit me aftësi të kufizuara tregoi se rreth gjashtë në 10 persona që kishin siguruar një vend në një qendër të tillë kishin pritur të paktën tre vjet. Kjo tregon vështirësitë për të siguruar kujdesin e duhur.

Profesori Kim Yoon-tae, drejtues i Institutit të Shkencave Kognitive në Universitetin Woosuk, thotë se këto institucione kanë kontroll të madh mbi jetën e banorëve. Ato vendosin jo vetëm se çfarë hanë dhe ku flenë, por edhe për kujdesin shëndetësor dhe madje nëse mund të dalin apo jo jashtë.

Ndërsa Saekdongwon është “një rast shumë i rëndësishëm” për shkak të përmasave dhe kohëzgjatjes së abuzimit, Jo Ha thekson se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.

Në vitin 2023, një gjykatë apeli la në fuqi dënimin me tetë vjet burgim për një punonjës që një vit më parë kishte përdhunuar ose sulmuar seksualisht dy gra me aftësi të kufizuara intelektuale në një institucion në Yeongcheon.

Në një rast tjetër, në Anseong, një punonjës i një qendre kujdesi u dënua së fundmi me gjashtë vjet burgim për përdhunimin e përsëritur, në vitin 2022, të një banoreje me aftësi të kufizuara.

“Dhuna që përjetojnë gratë me aftësi të kufizuara nuk është një problem individual”, tha Jo. “Është dhunë strukturore, e krijuar nga ndërthurja e faktorëve si gjinia, aftësia e kufizuar, jetesa në institucione, varfëria dhe izolimi shoqëror”.

“Duam të jetojmë në paqe”

Pas publikimit të rastit, kryeministri i Koresë së Jugut urdhëroi krijimin e një ekipi të përbashkët mes institucioneve shtetërore për të trajtuar rastin. Ai e cilësoi incidentin si “një çështje të rëndë që vë në pikëpyetje vetë arsyen e ekzistencës së shtetit”.

Në prill, qeveria tha se kishte kontrolluar 1 mijë e 507 qendra rezidenciale për personat me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin dhe kishte identifikuar 33 raste të dyshuara abuzimi. Deri tani, për tetë prej tyre janë hapur hetime.

Qeveria tha gjithashtu se do të forcojë kontrollet e posaçme, duke u bazuar në faktorët e rrezikut. Në kontrolle do të përfshihen edhe autoritetet lokale, policia dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Qarku Ganghwa ka urdhëruar mbylljen e Saekdongwonit, ndërsa autoritetet lokale i kanë hequr licencën fondacionit që e administronte qendrën.

Megjithatë, mbyllja është shtyrë derisa banorët e mbetur të zhvendosen dhe të përfundojnë përgatitjet për jetesë të pavarur.

Autoritetet lokale kanë thënë se do të hartojnë plane individuale për mbështetjen e jetesës së pavarur për të gjithë 33 banorët e Saekdongwon. Ky proces është ende në vazhdim.

Saekdongwon ka ngritur një padi administrative kundër vendimit për heqjen e licencës. Qendra ende nuk ka komentuar për dënimin e Kim.

E pyetur se çfarë kishte ndryshuar më shumë që kur ishte larguar nga Saekdongwon, Seo tha: “Thjesht ndihem e qetë. Jam e lumtur çdo ditë”.

Ajo tha se gjëja më e mirë ishte se tani mund të hante dhe të flinte kur të dëshironte.

Dëshira e saj më e madhe tani është “të shkëpusë plotësisht çdo lidhje me drejtorin dhe të mos ketë më kurrë asgjë të bëjë me të”.

Megjithatë, Seo tha se personat me aftësi të kufizuara ende kanë nevojë për një vend ku të ndihen të sigurt.

“Shpresoj të ketë një qendër pa dhunë seksuale, ku njerëz si ne, me aftësi të kufizuara, të mund të jetojnë në paqe”.