Botë

Përmbajtjet e manipuluara pornografike po shkatërrojnë jetë në Korenë e Jugut

Përmbajtjet e manipuluara pornografike po shkatërrojnë jetë në Korenë e Jugut

Në një valë të re të krimeve seksuale digjitale, viktimat në Korenë e Jugut po përballen me sulme shkatërruese përmes përmbajtjeve të manipuluara eksplicite të krijuara me inteligjencë artificiale. Përdorimi i platformave si Telegram dhe X ka vështirësuar hetimet, ndërsa ndëshkimet ligjore janë rritur vetëm së fundmi. Aktivistët dhe viktimat po marrin rolin e hetuesve, duke nxitur një debat të madh publik për sigurinë digjitale dhe drejtësinë. Historia e Rumas është vetëm njëra nga qindra që po tronditin vendin.

Ruma ishte duke ngrënë drekë një ditë vere në vitin 2021, kur filloi të pranonte njoftime në telefonin e saj.

Mesazhet që mori ishin shkatërruese. Foto të saj ishin marrë nga mediat sociale dhe fytyra e saj u është vendosur trupave të zhveshur të grave. Fotografitë janë shpërndarë në një grup me shumë përdorues në një bisedë në rrjetin social Telegram.

Komentet në foto të bisedave ishin poshtëruese dhe vulgare – siç ishin edhe mesazhet nga autorë anonimë që i kishin nisur asaj fotot e manipuluara. “A nuk është qesharake? ... Të shohësh videon tënde të seksit”, “Më thuaj që ti më të vërtetë e shijon këtë”, i kanë shkruar ata.

Sulmi përshkallëzoi në kërcënime për të shpërndarë fotot edhe më shumë dhe me tallje që policia nuk do të jetë në gjendje t’i gjejë ata. Dërguesit dukej se dinin detaje nga jeta e saj personale, por ajo nuk kishte një mënyrë t’i identifikonte ata.

“U bombardova me gjithë këto imazhe që kurrë nuk i kam imagjinuar në jetën time”, ka shtuar Ruma, të cilën po i referohemi me pseudonim për shkaqe sigurie.

Shpërndarja pa leje e imazheve seksuale është bërë aq moti sa vetë interneti, por, shpërndarja e pajisjeve të inteligjencës artificiale do të thotë që çdokush mund të jetë cak i manipulimeve të përmbajtjeve eksplicite, edhe nëse dikush kurrë nuk kanë bërë apo dërguar foto lakuriq.

Koreja e Jugut kohët e fundit ka pasur tensionim të krimeve seksuale digjitale, nga kamerat e fshehura në vendet publike deri te bisedat në Telegram, ku gratë dhe vajzat detyroheshin dhe shantazhoheshin të publikonin përmbajtje poshtëruese seksuale.

Por teknologjia e manipulimeve të përmbajtjeve është kërcënim i ri, dhe kriza është veçanërisht e madhe në shkolla. Në mes janarit dhe nëntorit të vitit të kaluar, më shumë se 900 studentë, mësues dhe staf i shkollave kanë raportuar se ata kanë rënë viktimë e krimeve seksuale të manipulimeve të përmbajtjeve, sipas të dhënave nga ministria e Arsimit e vendit. Këto të dhëna nuk përfshijnë universitete, që po ashtu kanë përjetuar një rritje të sulmeve me përmbajtje të manipuluar pornografike.

Në përgjigje, ministria ka krijuar një task-forcë emergjente. Dhe në shtator, ligjvënësit kanë aprovuar një amendament që e bëri mbajtjen dhe shikimin e pornografisë së manipuluar të dënueshme deri në tre vjet burgim apo deri në 20,000 dollarë.

Tani krijimi dhe shpërndarja e imazheve eksplicite të manipuluara pa leje ka një dënim maksimal me burg deri në shtatë vjet, nga pesë sa ishte më herët.

Agjencia Kombëtare e Policisë në Kore të Jugut u ka bërë thirrje oficerëve të saj “të ndërmarrin nisma për të zhdukur krimet e manipulimeve seksuale të përmbajtjeve”.

Por nga 964 raste të përmbajtjeve me krime seksuale të lidhura me manipulime të përmbajtjeve të raportuara nga janari deri në tetor të vitit të kaluar, policia i ka kryer vetëm 23 arrestime, sipas deklaratës së Policisë Kombëtare të Seulit.

Ligjvënësi Kim Nam-hee ka thënë se hetimet dhe dënimet kanë qenë pasive deri tani. Prandaj disa viktima si Ruma janë duke kryer vetë hetime.

Viktimat duke vepruar

Ruma ishte një studente universiteti 27-vjeçare kur filloi makthi i saj. Ajo ka tregua se kur ka shkuar shkoi në polici, ata i kanë thënë se do të kërkonin për informata të përdoruesit nga Telegrami, por paralajmëruan se platforma është e njohur për mosshpërndarjen e këtyre të dhënave.

Nga një studente që shëtiste, e cila e shijonte shkollën dhe një jetë aktive sociale, Ruma ka treguar se incidenti ia ka ndryshuar jetën plotësisht.

“Kjo më theu të gjithë besimin tim për botën. Fakti që ata mund të përdorin imazhe të tilla vulgare dhe të ashpra për të të poshtëruar dhe denigruar në atë nivel ekstrem me të vërtetë të dëmton në masë pothuajse të pakthyeshme”, ka deklaruar ajo.

Ajo vendosi të reagojë pasi mësoi se hetimet pas raportimit të studentëve të tjerë kanë përfunduar pas disa muajsh, me policinë duke cituar vështirësi në identifikimin e të dyshuarve.

Ruma dhe studentët e tjerë kërkuan ndihmë nga Won Eun-ji, një aktiviste që ka marrë famë kombëtare për ekspozimin e grupit më të madh të krimeve seksuale digjitale të Telegramit në Kore të Jugut, në vitin 2020.

Won u pajtua të ndihmojë, duke krijuar një llogari të rreme në Telegram dhe duke pozuar si një burrë rreth të 30-ve për t’u infiltruar në bisedë ku kanë qarkulluar imazhet e manipuluara. Ajo ka shpenzuar të paktën dy vjet duke mbledhur të dhëna në mënyrë të kujdesur dhe duke u angazhuar në biseda me përdoruesit, para koordinimit me policinë për të ndihmuar policinë të organizojë një operacion të fshehtë.

Kur policia u përball me të dyshuarin, Won i dërgoi një mesazh në Telegram. Ai ishte kapur.

Dy ish-studentë nga Universiteti prestigjioz Kombëtar i Seulit (SNU) janë arrestuar majin e kaluar. I dyshuari kryesor është dënuar përfundimisht me 9 vjet burgim për prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve shfrytëzuese seksuale, derisa një bashkëpunëtor është dënuar me 3 vjet e 5 muaj burgim.

Hetimet e policisë kanë identifikuar të paktën 61viktima, duke përfshirë 12 studentë dhe ish-studentë të SNU-së. Universiteti Kombëtar i Seulit, në një konferencë për shtyp pas incidentit, tha se “shkolla do të forcojë edukimin parandalues për të rritur ndërgjegjësimin në mesin e anëtarëve të Universitetit rreth krimeve seksuale dhe do të bëjë më të mirën e mundshme për t’i mbrojtur viktimat dhe të parandalojë përsëritjen”.

Pjesët e vendimit të ndarë nga avokatët e Rumas thonë se “materialet e rreme eksplicite të prodhuara nga i dyshuari janë të neveritshme dhe bisedat rreth tyre janë tronditëse. “... ata i kanë caktuar viktimat si të ishin në gjueti për pre, ofenduan seksualisht viktimat dhe shkatërruan dinjitetin e tyre duke përdorur foto nga diplomimet, dasmat, dhe organizimet familjare”, thuhet në vendim.

“Nuk e prisja që vendimi të përshtatej plotësisht me kërkesën e Prokurorisë. Jam e lumtur, por kjo është vetëm gjykimi i parë. Nuk ndihem akoma e lehtësuar plotësisht”, ka thënë Ruma për vendimin.

Çështja e Rumas është vetëm njëra nga mijëra në Korenë e Jugut – dhe disa viktima janë ndihmuar më pak nga policia.

Publiku zakonisht nuk bashkëndien

Një mësuese shkolle, Kim, në fillim e ka mësuar se ishte cak i shfrytëzimit në korrik të 2023-tës, kur një student në mënyrë urgjente ia ka treguar fotografitë e rrjetit social Twitter, ku shfaqej ajo në foto të padëshirueshme të bëra në klasë, me fokus në trupin e saj.

“Duart e mia filluan të dridhen. Kur mund të jetë bërë kjo foto, dhe kush do të publikonte këtë gjë?”, ka deklaruar ajo.

Po ajo tha se situata është përkeqësuar dy ditë më vonë. Flokët e saj ishin të çrregulluara, dhe trupi i saj ishte ndryshuar. Fotoja e fytyrës së saj ishe manipuluar dhe shtuar në trupa lakuriqë. Teknologjia e sofistikuar i bëri imazhet jashtëzakonisht reale.

Policia i ka thënë asaj se opsioni i tyre i vetëm për të identifikuar postuesin ishte të kërkonin informata për përdoruesin nga Twitteri, platforma e medias sociale e blerë nga Elon Musku në vitin 2022 dhe e riemëruar si X në vitin 2023.

Kimi dhe një kolege që po ashtu ishte viktimë e një filmimi sekret, të frikësuara se hetimi përmes kanaleve zyrtare për të identifikuar përdoruesin do të merrte shumë kohë, filluan vetë një hetim.

Ata identifikuan personin. “Një student i qetë introvert, dikush që ju kurrë nuk do ta imagjinonit se do ta bënte atë”, ka deklaruar Kim.

Personi ishte dënuar, por pavarësisht se çfarë ndodhi në gjykatë, ajo tha se jeta e saj kurrë nuk do të ishte më e njëjtë.

Ajo tha se edhe mungesa e empatisë në publik e ka frustruar atë gjithashtu. “Kam lexuar shumë artikuj dhe komente për manipulimet e përmbajtjeve që thoshin, ‘Pse është një krim serioz kur nuk është as trupi juaj i vërtetë?”, ka shtuar Kimi.

Sipas politikës së tanishme të X-it, marrja e të dhënave të një përdoruesi mund të bëhet pas marrjes së një leje nga gjykata, apo një dokumenti valid ligjor dhe dorëzimin e një kërkese nga institucionet.

X thotë se është politikë e kompanisë të informojë përdoruesit se një kërkesë e tillë është bërë.

Rregullat e saj mbi autenticitetin thonë se përdoruesit “nuk mund të ndajnë përmbajtje joautentike në X, që mund t’i mashtrojë njerëzit ose të shkaktojë dëm”.

Presion në mediat sociale për të reaguar

Aktivistja Won ka theksuar se për një kohë të gjatë ndarja dhe shikimi i përmbajtjeve seksuale të grave nuk konsideroheshin si krim serioz në Kore të Jugut.

“Edhe pse pornografia është e ndaluar, autoritetet për një kohë të gjatë kanë dështuar të zbatojnë ligjin apo të dënojnë shkelësit e tij”, ka deklaruar Won.

Apatia shoqërore e bën më të lehtë për shkelësit të kryejnë krime seksuale digjitale, ka shtuar Won, duke përfshirë atë që ajo e quante “poshtërim nga njohja”.

“Poshtërimi nga njohja”, shpesh fillon me të dyshuarit që ndajnë foto dhe informacione personale të grave që ata njohin në Telegram, duke ofruar të krijojnë përmbajtje të manipuluar apo të kërkojnë nga të tjerët ta bëjnë atë. Viktimat jetojnë me frikën pasi sulmuesit zakonisht i dinë informata e tyre personale – ku jetojnë, punojnë, dhe madje detaje për familjet e tyre – duke shfaqur kërcënime reale për sigurinë e tyre dhe duke mundësuar që përdoruesit anonimë të sulmojnë gra drejtpërdrejt.

Që nga çështja më e madhe e shfrytëzimit seksual digjital në Telegram në Korenë e Jugut në vitin 2020, Won ka treguar se numri i rasteve të shfrytëzimit seksual është luhatur, duke u tkurrur gjatë operacionit të gjerë të hetimit policor, por është rritur përsëri pas qetësimit të autoriteteve.

Viktimat e intervistuara, të gjitha kanë avokuar për dënime më të rënda për të dyshuarit. Derisa parandalimi është i rëndësishëm, “është e nevojshme t’i gjykojmë këto raste si duhet kur ato ndodhin”, ka thënë Kim.

Platformat online po ashtu janë nën presion për të reaguar.

Telegrami, i cili është bërë hapësirë për krime të shumëllojshme digjitale, ka njoftuar se do të fillojë të ndajë të dhëna të përdoruesve me autoritetet si pjesë e ndjekjes më të madhe të aktiviteteve joligjore.

Lëvizja erdhi pasi shefi ekzekutiv i kompanisë (CEO), Pavel Durov, u arrestua në gusht në Francë me një urdhërarrest të lidhur me mungesën e përditësimeve në Telegram, duke shënuar një pikë kthese për platformën e njohur gjatë për angazhimin e saj për privatësi dhe mesazhe të koduara. Durov është nën hetim formal, por i është lejuar të largohet nga Franca.

Shtatorin e kaluar, rregullatori i mediave në Korenë e Jugut ka deklaruar se Telegrami është pajtuar të krijojë një linjë komunikimi për të ndihmuar në largimin e përmbajtjes ilegale nga programi, dhe se kompania i ka larguar 148 video të krimeve digjitale siç është kërkuar nga rregullatori.

Won e ka mirëpritur këtë lëvizje, por me pak skepticizëm – duke thënë se qeveritë duhet të largojnë platformën nga dyqanet e aplikacioneve, për të parandaluar përdoruesit e rinj të anëtarësohen, nëse Telegrami nuk shfaq progres domethënës për një kohë të shkurtër. “Kjo është diçka që është vonuar shumë”, ka deklaruar Won.

Telegram ka njoftuar se kompania “ka politikë zero tolerancë për pornografi ilegale” dhe përdor “një kombinim të moderimit njerëzor, inteligjencës artificiale dhe pajisje të mësimit mekanik dhe raporte nga përdoruesit dhe organizata të besueshme për të luftuar pornografinë ilegale dhe abuzime të tjera nga platforma”.

Një zhvillim shumë i rëndësishëm ka ndodhur këtë janar, duke shënuar herën e parë që në mënyrë të suksesshme autoritete koreane kanë pranuar të dhëna që lidhen me krimin nga Telegrami, sipas policisë së Seulit.

14 persona janë arrestuar, duke përfshirë 6 të mitur, për dyshimet e shfrytëzimit seksual të mbi 200 viktimave përmes Telegramit. Unaza kryesore e krimit dyshohet se ka pasur cak burra dhe gra të moshave të ndryshme që nga 2020-a, dhe më shumë se 70 të tjerë janë nën hetime për dyshimet se kanë krijuar dhe ndarë materiale të manipuluara shfrytëzuese, ka deklaruar policia e Seulit.

Ndërkohë, viktimat kanë deklaruar se shpresojnë që gratë e tjera në pozicionin e tyre të marrin më shumë mbështetje nga policia dhe gjykimet që do të ndodhin.

“Nuk ka rëndësi se sa forcohen ndëshkimet, akoma ka shumë viktima që vuajnë, sepse të dyshuarit nuk janë kapur, dhe kjo është pse ndihet sikur vendimi është akoma larg nga kuptimi për ndryshim të vërtetë të drejtësisë”, ka deklaruar Ruma. “Ka shumë punë për t’u bërë”, ka shtuar ajo.