Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Harvey Winstein: Nuk do ta falë Gwyneth Paltrown që më doli kundër

Harvey Weinstein

Harvey Weinstein

Foto: Associated Press

Producenti i njohur i filmave në Hollywood, Harvey Weinstein, ka kritikuar aktoren Gwyneth Paltrow pothuajse një dekadë pasi ajo e akuzoi për sjellje të papërshtatshme, akuza që në vitin 2017 nxiten lëvizjes globale #MeToo.

Weinstein, 73 vjeç, i cili është dënuar për krime seksuale në procese gjyqësore në New York dhe në Kaliforni, i bëri komentet gjatë një interviste nga burgu për revistën The Hollywood Reporter.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka deklaruar se “nuk do ta falë” Paltrown që ka folur publikisht për një takim që, sipas saj, ndodhi në fillim të karrierës së saj.

Aktualisht, Weinstein po pret rigjykimin pasi një gjykatë apeli rrëzoi dënimin e tij në New York, duke argumentuar se disa dëshmi të paraqitura në gjyqin fillestar kishin ndikuar në mënyrë të padrejtë në proces.

Në intervistë, ai ka folur për akuzat e Paltrows, e cila tash është 53 vjeçe.

Aktorja ka thënë se ishte vetëm 22 vjeçe kur producenti i kishte bërë një propozim të padëshiruar gjatë një takimi që lidhej me një rol në film.

Paltrow ishte një nga dhjetëra gra që në vitin 2017 e akuzuan publikisht Weinsteinin për sjellje të papërshtatshme seksuale, akuza që ndezën lëvizjen globale kundër abuzimeve në industrinë e argëtimit.

“Nuk e di çfarë e shtyu të bëjë atë që bëri. Ta bësh një çështje kaq të madhe për asgjë. U largova nga një takim i këndshëm me të dhe i thashë: ‘Po një masazh?’ Ajo tha: ‘Jo, nuk mendoj’. E kuptova mesazhin. Nuk e kam prekur kurrë”, ka thënë Winstein.

 Sipas tij, Paltrow më pas ia kishte treguar ngjarjen të dashurit të saj të atëhershëm, aktorit Brad Pitt.

“Brad Pitt erdhi tek unë dhe më tha: ‘Mos bëj më diçka të tillë me të dashurën time’. Unë i thashë: ‘Mos u shqetëso, Brad, e mora mesazhin’”, ka thënë ish-producenti.

Weinstein ka vazhduar duke e kritikuar aktoren që foli për këtë çështje vite më vonë në një intervistë me prezantuesin Howard Stern.

“Pastaj Gwyneth shkon te Howard Stern dhe e bën një çështje të madhe. Ajo e di që nuk ka ndodhur asgjë. Por ky person që ishte mikeshë e imja, për karrierën saj më detyrohet mua, më godet pas shpine. Ajo donte të ishte pjesë e turmës. Nuk do ta fal për këtë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Paltrow ka thënë më herët se incidenti ndodhi pas një takimi në një dhomë hoteli, në fillim të karrierës së saj si aktore. Ajo ka treguar se e refuzoi menjëherë propozimin dhe më pas ia tregoi ngjarjen Pittit.

Aktorja ka rrëfyer gjithashtu se Pitt u përball me Weinstein në vitin 1995, gjatë mbrëmjes së hapjes së shfaqjes “Hamlet” në teatër.

Sipas saj, Pitt e shtyu producentin për muri dhe e paralajmëroi me fjalët “Nëse e bën përsëri të ndihet në siklet, do të të vras”.

Paltrow ka thënë se në atë kohë kishte pak fuqi për të reaguar, por më vonë vendosi të flasë publikisht për përvojën e saj si pjesë e një reflektimi më të gjerë në industrinë e filmit.

“Pritej që ta mbaja sekretin. Por kemi arritur në një moment kur gratë duhet të dërgojnë një mesazh të qartë: kjo ka marrë fund. Kjo mënyrë e trajtimit të grave përfundon tani”, ka thënë aktorja.

Paltrow kishte punuar me Weinsteinin në filmin “Shakespeare in Love”, të prodhuar nga kompania Miramax.

Filmi ka fituar disa çmime nga Akademia e Filmit dhe aktorja mori çmimin “Oscar” për aktoren më të mirë në vitin 1999.

Weinstein ishte bashkëthemelues i kompanive filmike “Miramax” dhe “The Weinstein Company” dhe gjatë karrierës së tij prodhoi filma të njohur si “Pulp Fiction” dhe “The Crying Game”.

Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat për marrëdhënie seksuale pa pëlqim dhe ka këmbëngulur se çdo marrëdhënie ka qenë me pëlqimin e të dy palëve.