Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Harvey Weinstein dënohet me 15 vjet burgim për sulm seksual

Harvey Weinstein

Producenti i diskredituar i Hollywoodit, Harvey Weinstein, është dënuar me 15 vjet burgim, pasi një juri e shpalli fajtor vitin e kaluar për kryerjen e një akti seksual kriminal ndaj një ish-asistenteje, raporton BBC. 

Në një deklaratë në gjykatë, Miriam Haley tha se sulmi kishte pasur një “efekt shkatërrues në jetën time dhe në ndjenjën time të sigurisë, i cili mund të mos largohet kurrë”.

Weinstein, i cili u paraqit në gjykatë në një karrocë me rrota, i mohoi akuzat, por i kërkoi falje “çdokujt që mund ta kem lënduar me veprimet e mia”.

Weinstein tashmë ka kaluar disa vite në burg në New York, ku është përballur me tri procese gjyqësore lidhur me akuzat për përdhunim dhe abuzim. Ai është dënuar edhe në një çështje tjetër për krime seksuale në Los Angeles.

Kjo është hera e dytë që atij i është dhënë një dënim me burg në çështjen e Miriam Haleyt. Weinstein u shpall fillimisht fajtor dhe u dënua në vitin 2020, por gjykata më e lartë e New Yorkut e anuloi dënimin në vitin 2024, së bashku me një dënim tjetër që lidhej me aktoren Jessica Mann. Gjykata vendosi se Weinstein nuk kishte marrë një gjykim të drejtë.

Ai u rigjykua dhe u shpall sërish fajtor vitin e kaluar për një akuzë të vetme për kryerjen e një akti seksual kriminal ndaj Haleyt.

Weinstein, 74 vjeç, aktualisht po mbahet në një repart burgu në Spitalin Bellevue të New Yorkut, për shkak të një sërë problemesh shëndetësore të raportuara gjatë kohës së burgimit.

Dikur një producent i fuqishëm në krye të Miramax, studios që prodhoi hite si “Shakespeare in Love”, Weinstein ra nga fama në vitin 2017, pasi New York Times dhe New Yorker publikuan akuzat e disa grave për sulme seksuale që shtriheshin në disa dekada.

Akuzat ndaj tij nxitën lëvizjen #MeToo, por prokurorëve të New Yorkut iu është dashur të përballen me një rrugë të ndërlikuar për të siguruar dënime dhe masa ndëshkuese.

Në gjyqin e vitit 2020, Haley dëshmoi se Weinstein e kishte sulmuar në një dhomë gjumi në apartamentin e tij në Manhattan në vitin 2006. Në atë kohë, Haley ishte asistente produksioni në serialin televiziv Project Runway.

Për juritë nuk arritën të merrnin një vendim, ndërsa ai u shpall i pafajshëm për një akuzë tjetër që lidhej me modelen Kaja Sokola.

Pasi dëshmoi në rigjykimin e vitit të kaluar, Haley i tha BBC-së se ishte ndier e detyruar të dëshmonte.

“Thjesht mendova: duhet të ngrihem për veten time. Duhet të ngrihem për të vërtetën”, tha ajo.

Weinstein është ende në pritje të dënimit në Kaliforni, ku në vitin 2022 u shpall fajtor për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj një aktoreje në një dhomë hoteli në vitin 2013.

Një gjykatë apeli urdhëroi që ai të ridënohej në këtë çështje, pasi dënimet në New Jork u anuluan.

Weinstein i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij dhe ka thënë se beson se do të shpallet i pafajshëm.

Të mërkurën, gjyqtari Curtis Farber kritikoi ish-manjatin e Hollywoodit, ndërsa shpalli dënimin prej 15 vjetësh.

“Ti more atë që doje me forcë dhe nuk ke pranuar kurrë përgjegjësinë”, tha Farber.