Ylli amerikan i muzikës, Miley Cyrus, i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta postuar një video, e cila e paralajmëron lansimin e këngës së re me titull, “Flowers”.
“Unë mund t’i blej vetes lule, ta shkruaj emrin tim në rërë, të flas me vete për orë të tëra, po, disa gjëra që ti nuk i kupton”, janë disa nga frazat e këngës së ardhshme të cilat këngëtarja dëgjohet duke i interpretuar teksa është duke bërë dush.
Kjo nuk është hera e parë që Cyrus, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, i paralajmëron fansat për lansimet e projekteve të saja muzikore.
“Flowers” lansohet për publikun të premten (13 janar), përmes studios së re incizuese me të cilën këngëtarja e ka filluar bashkëpunimin, “Columbia Records”. Data e lansimit të këtij projekti po ashtu përkon me ditëlindjen e 33-të të ish-bashkëshortit të Mileyt, Liam Hemsworth.
Me të dal në treg, balada e cila e promovon pavarësinë e gruas do të shërbejë si kënga kryesore e albumit të tetë të incizuar në studio të Cyrusit, “Endless Summer Vacation”, që planifikohet të lansohet për publikun e gjerë më 10 mars të këtij viti.
Edhe
Miley Cyrus tregon se ende ruan disa kujtime nga ish-partneri i saj, Liam Hemsworth
Në ditën e fundit të vitit 2022, Cyrus për herë të dytë e bashkë-prezantoi emisionin special për Vitin e Ri nga Miami, ngjarje kjo e cila u transmetua drejtpërdrejt në kanalin NBC. Skenën e ndau me kumbarën e saj të famshme, Dolly Parton. Gjatë mbrëmjes, të dy artistet performuan kënga të ndryshme si, “Jolene”, “I Love Rock ‘N’ Roll”, “Wrecking Ball”, “I Will Always Love You” dhe “Midnight Sky”.
Cyrus gjithashtu kishte ftuar yje specialë në koncertin në fjalë, si Paris Hilton, Sia, David Byrne dhe Fletcher.