Këngëtarja, Miley Cyrus ka treguar se pse ka vendosur t’i ruajë disa kujtime nga marrëdhënia e saj me Liam Hemsworth, përfshirë veshjet dhe letrat që kanë ndarë bashkë.
32-vjeçja dhe aktori 35-vjeçar u njohën në vitin 2009 gjatë xhirimeve të filmit “The Last Song”. Marrëdhënia e tyre zgjati më shumë se një dekadë, duke kaluar nëpër fejesën e vitit 2012, ndarjen në 2013, ribashkimin në 2016 dhe martesën në dhjetor të vitit 2018, pak pas humbjes së shtëpisë së tyre në Malibu nga zjarri Woolsey Fire. Por çifti u nda më pak se një vit më vonë dhe finalizoi divorcin në fillim të vitit 2020.

Edhe pse nuk janë më bashkë, krijuesja e hitit “Flowers” ka pranuar se ende dëshiron të ruajë kujtimet më të çmuara.
“Unë ende kam një fustan që e kisha veshur kur takova ish-burrin tim për herë të parë, dhe pastaj fustanin që kisha veshur në takimin tonë të parë. Kam edhe letra dhe gjëra të tjera që dua t’i ruaj, sepse janë momente të bukura të jetës sime”, ka thënë ajo për Vogue.
Cyrus i bëri këto komente ndërsa fliste për arkivin e saj të modës, të cilin po e organizon në atë që e quan “raft i trashëgimisë”, një koleksion i përzgjedhur i veshjeve nga çdo periudhë e jetës së saj.
“Epokat e mia nuk janë thjesht kostume, ato janë si një metamorfozë ose një evolucion i vërtetë personal për mua”, ka shpjeguar ajo.
Ylli i popit pranoi se është e vështirë të vendosë se cilat kujtime private t'i ndajë me publikun, sidomos për shkak të lidhjes së saj të ekspozuar me aktorin e filmave të “Marvelit”.
“Sepse këto momente intime kanë qenë njëkohësisht edhe momente publike, është pak e vështirë të vendos se cilën pjesë dua ta ndaj dhe çfarë nuk do ta lejoja kurrë të shihet”, ka thënë Cyrus.
