Këngëtarja e njohur, Miley Cyrus ka treguar se ishte “shumë e befasuar” kur i dashuri i saj, Maxx Morando, i propozoi gjatë një udhëtimi në Japoni.
Çifti e shpalli fejesën pas katër vjetësh lidhjeje.
“Asnjëherë nuk kisha shkuar në Japoni, dhe këtë e bëra qëllimisht. Doja të kisha një vend në botë që ta ruaja vetëm për veten time. Nuk është e lehtë të më surprizosh sepse më pëlqen të kontrolloj çdo situatë, por këtë herë u dorëzova plotësisht. Dhe po ju them, isha kaq, kaq e surprizuar”, ka thënë Cyrus gjatë paraqitjes në Good Morning America
31-vjeçarja ka pranuar së fundi se është bërë “më mbrojtëse” ndaj jetës së saj romantike.
Ajo ka treguar se i pëlqen fakti që ka arritur të mbajë disa pjesë të lidhjes larg syrit të publikut.
“Detaji që mund të ndaj është që për ne privatësia dhe ta mbajmë gjithçka të vogël ka qenë diçka që më ka habitur që kam arritur ta kem. Ndoshta ka të bëjë me faktin se jam më e rritur dhe më mbrojtëse ndaj asaj që zgjedh të ndaj”, ka thënë ajo për People.
Thashethemet për fejesën nisën javën e kaluar, kur Cyrus dhe Morando dolën në tapetin e kuq të premierës së filmit “Avatar: Fire and Ash” në Los Angeles.
Ylli ka thënë se se filmi ishte në harmoni me momentin që po kalon në jetë.
“Filmi ka të bëjë me dashurinë, qëndrueshmërinë e familjes dhe ribashkimin. M’u duk perfekt tematikisht dhe i përputhshëm me atë ku jam tani në jetë”, ka thënë Cyrus.
Cyrus dhe Morando nisën lidhjen në vitin 2021. Një burim i tha më herët Us Weeklyt se çifti ishte shumë i përputhshëm.
“Është një lidhje e re. Po e njohin ende njëri-tjetrin. Po argëtohen dhe po kalojnë shumë kohë së bashku”, pati thënë burimi.