Një grua e njohur si “mbretëresha e ketaminës” ka pranuar fajin për shitjen e drogës që i mori jetën aktorit të serialit “Friends”, Matthew Perry, ka raportuar BBC.
Jasveen Sangha, 42 vjeçe, do të deklarohet fajtore për pesë akuza në Los Angeles, përfshirë një për shpërndarje të ketaminës që solli vdekje ose lëndim trupor, sipas Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
Sangha, me shtetësi të dyfishtë amerikano-britanike, fillimisht përballej me nëntë akuza penale. Prokurorët federalë e kanë përshkruar shtëpinë e saj në Los Angeles e një “magazinë të shitjes së drogës”, ku gjatë kontrollit gjetën dhjetëra shishe me ketaminë.

Perry u gjet i vdekur në muajin tetor të vitit 2023 në vaskën me xhakuzi në shtëpinë e tij në Los Angeles. Hetimi zbuloi se vdekja ishte shkaktuar nga efektet akute të ketaminës.
Sangha është një nga pesë personat që, sipas autoriteteve amerikane, e furnizuan aktorin me ketaminë duke përfituar nga varësia e tij. Në këtë grup përfshihen dy mjekë, doktori Salvador Plasencia dhe doktori Mark Chavez, të cilët shisnin ketaminë, Kenneth Iwamasa, asistenti personal i Perryt, i cili ndihmonte në blerjen dhe madje e injektonte drogën tek aktori, si dhe Eric Fleming, që shiste ketaminën e marrë nga Sangha. Të pestë kanë pranuar fajin.
Avokati i Sanghas, Mark Geragos, ka thënë për BBC-në se klientja e tij “po merr përgjegjësi për veprimet e saj”.
Ajo pritet të deklarohet fajtore për: një akuzë për mbajtjen e një lokali të përfshirë në shpërndarjen e drogës, tri akuza për shpërndarje ketamine dhe një akuzë për shpërndarje ketamine që solli vdekje ose lëndim serioz. Për këto akuza, Sangha mund të përballet me dënim maksimal prej 65 vjetësh burg federal, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Ketamina është një anestetik disociativ me efekte halucinogjene. Ajo shtrembëron perceptimin e shikimit dhe dëgjimit dhe krijon ndjenjën e shkëputjes nga realiteti. Përdoret nga mjekët si anestezi për njerëz dhe kafshë, por sipas ekspertëve, duhet të administrohet vetëm nga profesionistë shëndetësorë, pasi mund të shkaktojë pasoja serioze.
Hetimet mbi vdekjen e Perryt kanë zbuluar një rrjet të gjerë përdorimi dhe shpërndarjeje të ketaminës në Hollywood, të cilin një mjek e quajti “wild west” (perëndimi i egër), në një intervistë për BBC.
Si pjesë e marrëveshjes me drejtësinë, Sangha ka pranuar gjithashtu se kishte shitur ketaminë edhe në muajin gusht 2019 tek Cody McLaury, i cili vdiq nga mbidoza disa orë pas blerjes.
Autoritetet federale thonë se Sangha e përdorte shtëpinë e saj në North Hollywood për shpërndarjen e drogës që nga viti 2019, duke shitur për klientë të pasur dhe të famshëm.
Në një bastisje para arrestimit të saj në muajin mars 2024, hetuesit gjetën mbi 80 shishe ketamine dhe mijëra pilula, mes tyre me amfetaminë, kokainë dhe Xanax.
Në aktakuzë, ajo përshkruhet si person që frekuentonte edhe rrethin e të famshmëve.
Një mik i saj i ka thënë Daily Mailit se Sangha kishte marrë pjesë në ngjarje të mëdha si “Golden Globes” dhe “Oscars”. Në rrjetet sociale, ajo shfaqej duke jetuar jetë luksoze, me festa dhe udhëtime në Japoni e Meksikë.