42-vjeça, Jasveen Sangha, e njohur me nofkën “Ketamine Queen” (Mbretëresha e ketaminës), ka pranuar fajësinë për pesë akuza, përfshirë edhe atë të furnizimit me ketaminë që çoi në vdekjen e aktorit Matthew Perry, gjatë një seance gjyqësore të mbajtur të mërkurën në Los Angeles (3 shtator 2025), ka raportuar BBC.

Sipas prokurorëve federalë, Sangha, e cila ka shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe britanike, pranoi akuzën për “shpërndarje të ketaminës që rezultoi me vdekje”, akuzën për “mbajtjen e një prone të lidhur me drogën” dhe tri akuza për “shpërndarje të ketaminës”.
Ajo po mbahet në paraburgim dhe mund të përballet me dënim deri në 65 vjet burgim. Megjithatë, autoritetet kanë rënë dakord të heqin dorë nga tri akuza të tjera për shpërndarje ketamine dhe një për shpërndarje metamfetamine.
Prokurorët kanë bërë të ditur se nuk do të kërkojnë dënimin maksimal. Seanca e shqyrtimit të dënimit është caktuar për datën 10 dhjetor në Los Angeles.
Matthew Perry, i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, vdiq në muajin tetor 2023, në moshën 54-vjeçare.
Raporti i autopsisë konfirmoi se shkaku kryesor i vdekjes ishte “mbytja aksidentale e shkaktuar nga efektet akute të ketaminës”.
Si faktorë kontribuues u përmendën edhe sëmundja e arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës.
Perry, i cili prej vitesh luftonte me varësinë, po e merrte ketaminën edhe me recetë për trajtimin e depresionit. Por, në javët para vdekjes, kishte nisur të siguronte sasi të mëdha të drogës edhe në mënyrë ilegale.
“Ai bleu sasi të mëdha të ketaminës nga Sangha pak para se të vdiste”, kanë thënë hetuesit.
Përveç Sanghas, katër persona të tjerë kanë pranuar gjithashtu fajësinë për rolin e tyre në këtë rast.
Dy mjekët Salvador Plasencia dhe Mark Chavez, të cilët i kishin shitur ketaminë Perryt, Kenneth Iwamasa, asistenti personal i aktorit, si dhe Eric Fleming, i cili ia rishiste Perryt ketaminën e marrë nga Sangha.
Sipas marrëveshjes me prokurorinë, Fleming dhe Iwamasa rrezikojnë dënim nga 15 deri në 25 vjet burgim, ndërsa mjeku Chavez mund të përballet me dënim deri në 10 vjet. Dënimi për ta pritet të shpallet më vonë gjatë këtij viti.