Ylli i “Reality Show”, Kim Kardashian i ka thënë organizatorit të supozuar të një grabitjeje që është zhvilluar ndaj saj, e në të cilën mendonte se do të vdiste, se ajo e fal atë, por se kjo nuk heq asnjë nga traumat nga mbajtja nën kërcënimin e armëve në dhomën e saj të hotelit në Paris, në vitin 2016.
“Absolutisht mendova se do të vdisja”, ka thënë miliarderja e famshme në një gjykatë në Paris të martën, duke rrëfyer tronditjen dhe frikën e saj gjatë sulmit, në të cilin mendonte se do të përdhunohej dhe do të pushkatohej, raporton Reuters.
“Mendova për motrën time, mendova se do të hynte brenda dhe do të më shihte të vrarë dhe do ta kishte atë kujtim përgjithmonë”, ka thënë ajo.
Kardashian ka qarë teksa kujtonte fillimin e sulmit, në të cilin të dyshuarit akuzohen se e kishin lidhur me zinxhir dhe ngjitës përpara se t’i merrnin bizhuteritë, duke përfshirë një unazë fejese në vlerë prej 4 milionë dollarësh që ia kishte dhënë bashkëshorti i saj, reperi Kanye West (tani i njohur si Ye).
E veshur me të zeza nga stilisti britanik, John Galliano, Kardashian, 44 vjeç, ka kujtuar detajet e sulmit.
"Ne do të largoheshim të nesërmen në mëngjes, kështu që unë po bëja paketimin, ishte rreth orës 3:00 të mëngjesit. Dëgjova dikë duke u ngjitur shkallëve gjatë kohë sa isha në shtrat”, ka thënë ajo, duke shtuar se burra të veshur si oficerë policie hynë brenda.

"Pastaj dëgjova një nga zotërinjtë duke thënë me forcë ‘ring! ring!’ në anglisht, me një theks”.
Njëri prej tyre i kishte drejtuar armën.
"Isha goxha histerike dhe thjesht shikova portierin dhe i thashë: "Çfarë do të ndodhë me ne?”.
Ajo ka treguar në një moment se kishte frikë se do të përdhunohej pasi grabitësit e kishin hedhur në shtrat dhe njëri prej tyre e kishte kapur për këmbe.
"Por ai përfundoi duke më lidhur dhe mbyllur këmbët e mia”, është shprehur ajo.
Kardashian ka thënë se grabitësit nuk e kanë goditur fizikisht.
“Më kapën, më tërhoqën zvarrë në dhomën tjetër dhe më hodhën në dysheme, por nuk u godita, jo”, është shprehur ajo.
Në gjykatë pati një moment tjetër emocionues kur u lexua një letër falje e shkruar nga i pandehuri 69-vjeçar Aomar Ait Khedache, me nofkën "Omari i Vjetër", i cili nuk mund të flasë më.
“Sinqerisht jam e emocionuar për këtë”, ka thënë Kardashian para gjykatës, në lot.
“Sigurisht se e vlerësoj letrën, të fal”, ka thënë Kardashian duke parë direkt Khedache.
"Por kjo nuk i ndryshon ndjenjat dhe traumën dhe faktin që jeta ime ndryshoi përgjithmonë, por e vlerësoj letrën, faleminderit", ka shtuar ajo.
Khedache akuzohet si kryesuesi i grabitjes, gjë të cilën ai e mohon. Përgjigja e tij ndaj fjalëve të Kardashian u lexua nga gjykata.

“Falja juaj është një rreze dielli që më ka ndriçuar... Unë jam përgjithmonë mirënjohës”, ka thënë ai.
Sulmi, gjatë javës së modës në Paris, ka ndryshuar shumë gjëra, ka thënë Kardashian, duke përfshirë edhe nxitjen e saj për të rritur sigurinë e saj.
"Kjo ndryshoi mënyrën se si ndihem e sigurt në shtëpi. Tani kam nga katër deri në gjashtë roje sigurimi në shtëpi që të ndihem e sigurt. Nuk mund të fle natën nëse nuk ka shumë njerëz të sigurisë”, është shprehur ajo.
Gjithsej nëntë burra dhe një grua po gjykohen nga gjykata penale. Pesë prej tyre, të gjithë burra, përballen me akuza për grabitje të armatosur dhe rrëmbim dhe rrezikojnë të dënohen me burgim të përjetshëm. Të tjerët akuzohen për bashkëpunim në grabitje ose armëmbajtje pa leje.
Teksa grabitësit ishin arratisur në këmbë ose me biçikleta, u kishte humbur një kryq me gjashtë diamante, të cilin një kalimtar e kishe gjetur në rrugë dhe e kishte dërguar në polici. Por shumica e bizhuterive, përfshirë unazën e fejesës prej 4 milionë dollarësh, nuk janë gjetur kurrë.