Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kim Kardashian dëmshpërblehet me 1 euro për grabitjen e armatosur ndaj saj në Paris

Kim Kardashian

Foto: Associated Press

Kim Kardashianit i është dhënë një dëmshpërblim simbolik prej 1 euro pas përvojës së tmerrshme të grabitjes nën kërcënimin e armës.

Ylli 45-vjeçar i reality show-t u mbajt peng në dhomën e saj të hotelit në Paris në vitin 2016, ndërsa hajdutët i vodhën bizhuteri me vlerë 10 milionë dollarë. 

Pasi një bandë, me moshë mesatare 70 vjeç, u shpall fajtore për akuzat e lidhura me grabitjen majin e kaluar, ajo kërkoi një dëmshpërblim modest në një çështje civile.

Stilistja e Kim, Simone Harouche, e cila po qëndronte me yllin dhe u mbyll në një banjë për t’i dërguar mesazh një truproje gjatë grabitjes, mori të njëjtën shumë simbolike.

“Përvoja ishte thellësisht traumatike dhe ndikimi i saj ka mbetur me ne. Vendimi i sotëm nuk ka të bëjë me kompensimin, por me përgjegjësinë dhe njohjen e asaj që ndodhi. Jemi mirënjohëse ndaj gjykatës dhe të gjithëve që na mbështetën gjatë këtij procesi dhe shpresojmë që tani të mund të ecim përpara dhe të vazhdojmë të shërohemi”, kanë thënë të dyja në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas vendimit. 

Sipas raportimeve, një ish-punonjës i recepsionit të Hotel de Pourtales, ku ndodhi grabitja, mori 109.516 euro, ndërsa vetë hoteli mori 50.000 euro.

Vitin e kaluar, gjykata shpalli fajtor kreun e bandës, 70-vjeçarin Aomar Ait Khedache, i njohur si “Omar i Vjetër”, dhe shtatë persona të tjerë, ndërsa liroi nga akuzat dy të pandehur, pas një gjyqi katërjavor.

Të gjithë të përfshirët u lirua pas vendimit, për shkak të kohës që kishin kaluar tashmë në paraburgim ose burg.

Gjatë gjyqit, themeluesja e Skims këmbënguli se e kishte “falur” burrin dhe tha se e “vlerësonte” faktin që ai i kishte shkruar një letër për t’i kërkuar falje menjëherë pas arrestimit, megjithëse në atë kohë ajo nuk ishte në dijeni për të.