Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Indiana Jones and the Dial of Destiny” me premierë botërore në Kanë

Arkeologu aventurier, Indiana Jones, po udhëton drejt rivierës franceze.

“Indiana Jones and the Dial of Destiny”, filmi i pestë në serinë e projekteve ikonike të Harrison Fordit, do ta shënojë premierën botërore në kuadër të Festivalit të filmit në Kanë më 18 maj. Lajmin e kanë konfirmuar organizatorët e kësaj ngjarjeje kinematografike. Me këtë rast, festivali po ashtu do ta nderojë karrierën e gjatë dhe të suksesshme të ylli të Hollywoodit, Ford.

Shfaqja e vazhdimit të ardhshëm në Kanë, regjinë e së cilit e ka bërë James Mangold, vjen 15-vjet pasi filmi i vitit 2008, “Indiana Jones and the Kingdom of the Crystal Skull”, e shënoi premierën në festivalin prestigjioz francez.

“Dial of Destiny”, konsiderohet kapitulli i fundit i filmave të suksesshëm në arkat filmike dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të lansohet nëpër kinema më 28 qershor.

Por, kjo nuk do të jetë premiera e vetme hollywoodiane në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Kanës, i cili fillon më 16 maj të këtij viti.

Edhe Harrison Ford për herë të fundit në rolin e Indiana Jonesit Showbiz Harrison Ford për herë të fundit në rolin e Indiana Jonesit

Të premten e kaluar u njoftua se projekti i shumëpritur i regjisorit Martin Scorsese, “Killers of the Flower Moon”, po ashtu do ta shënojë premierën botërore në këtë ngjarje. Filmi i cili vjen i adaptuar nga libri i bazuar në ngjarje të vërtetë i autorit, David Grann, dhe me skenar të shkruar nga Eric Roth, e sjell historinë e vrasjeve brutale të fisit indian “Osage”, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në Oklahoma gjatë viteve ‘20. Vrasjet kishin ndodhur pasi në tokat e këtij fisi ishin zbuluar depozita të mëdha të naftës. Në rolet kryesore vijnë aktorë të njohur si, Leonardo DiCaprio, Robert De Niro dhe Jesse Plemons. Premiera e përcjellë me qilim të kuq zë vend më 20 maj dhe e shënon rikthimin e parë të Scorseses në Kanë nga filmi i vitit 1986, “After Hours”.

Lista e plotë e filmave që do të shfaqen në festival sivjet do të bëhet e ditur më 13 prill.