Ylli i kinematografisë, Harrison Ford, do ta shënojë debutimin në universin kinematik “Marvel”, me një rol në filmin e ardhshëm, “Captain America: New World Order”.
Siç është raportuar nga portali “Deadline”, aktori do ta portretizojë rolin e gjeneralit Thaddeus Ross në filmin e ardhshëm, i cili planifikohet të lansohet për publikun e gjerë më 3 maj të vitit 2024.
Ky personazh më herët u soll në ekran nga aktori, William Hurt, në disa filma të studios “Marvel”, përfshirë projektin e vitit 2008, “The Incredible Hulk” dhe projektin e vitit 2021, “Black Widow”. Por fatkeqësisht Hurt vdiq në mars të këtij viti në moshën 71-vjeçare.
Në filmin “Captain America: New World Order”, aktori Anthony Mackie e përsëritë rolin e Sam Wilsonit, personazh ky i cili e merr përsipër mantelin e superheroit Captain America në serialin e krijuar nga platforma Disney+, “The Falcon And The Winter Soldier”. Në film po ashtu luajnë aktorët, Danny Ramirez, Shira Haas, Tim Blake Nelson dhe Carl Lumbly. Ndërsa, Julius Onah pritet të bëjë regjinë e tij.

Gjenerali Ross pritet të luajë një rol më të madh në filmin tjetër të studios “Marvel”, “Thunderbolts”, ku ky personazh e mbledh një ekip anti-heronjsh, duke përfshirë Yelena Belovan, Bucky Barnesin, Red Guardianin dhe John Walkerin.
Filmat, “Captain America: New World Order” dhe “Thunderbolts”, janë pjesë e fazës së pestë të Marvelit, që fillon me filmin “Ant-Man And The Wasp: Quantumania”, i cili lansohet nëpër kinema në shkurt të vitit të ardhshëm.
Krahas disa projekteve të “Marvelit”, Harrison Ford, po ashtu luan në filmin e ardhshëm “Indiana Jones 5”. Së fundmi, aktori veteran i Hollywoodit e konfirmoi se vazhdimi i pestë në serinë e filmave shumë të dashur nga publiku, do të jetë i fundit për të.
Ford ishte i pranishëm në një prezantim në kuadër të ekspozitës “Disney’s D23” për ta ndarë me publikun trailerin e filmit të ri. Në skenë ai u shfaq krahas regjisorit James Mangold dhe aktores Phoebe Weller-Bridge.
Teksa foli i emocionuar për filmin, aktori tha: “Jam shumë krenar të them se ky vazhdim është fantastik, dhe njëra prej arsyeve është pikërisht aktorja Waller-Bridge. Filmat ‘Indiana Jones’ fokusohen në mistere dhe aventura, por gjithashtu flasin për ndjenja dhe gjëra që i kemi për zemër. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi një histori shumë njerëzore për ta rrëfyer në filmin e ardhshëm, por ku nuk mungojnë as skenat e mrekullueshme aksion”.
Tutje, ylli 80-vjeçar i kinematografisë e përfundoi fjalimin duke thënë se kjo është hera e fundit që ai vjen si personazhi shumë i dashur nga publiku mbarë botërorë, profesori i arkeologjisë Henry Walton “Indiana” Jones.
Filmi “Indiana Jones 5” lansohet nëpër kinema më 30 qershor të vitit 2023.