Showbiz

Harrison Ford nuk ka dashur të bëhet i pasur dhe i famshëm

Aktori veteran, Harrison Ford, i cili e posedon një pasuri prej më shumë se 300 milionë dollarësh, nuk ka hyrë në botën e filmit për shkak të parave.

“Askush nuk e beson këtë që e them por unë vërtetë nuk kam dashur të jem i pasur dhe i famshëm. Thjesht doja të bëhesha aktor”, tha Ford për revistën “People”.

Deklarata e aktorit 80-vjeçar vjen pak ditë para lansimit të filmit të tij të ri, “Indiana Jones And The Dial Of Destiny”, më 30 qershor. Dhe ky padyshim është një projekt i madh.

Sipas ekspertëve të arkave filmike, pritet që vazhdimi i fundit në serinë e filmave “Indiana Jones”, t’i fitojë më shumë se 300 milionë dollarë nga shitja e biletave. Ndërkaq, paga e aktorit Ford për këtë rol besohet të ketë qenë mes 25-65 milionë dollarësh.

Përveç filmave për arkeologun e famshëm, Henry Walton “Indiana” Jones, Ford i cili është i martuar me aktoren Calista Flockhart, gjithashtu ka luajtur në filmat “Star Wars” dhe aktualisht luan në serialin televiziv “Shrinking”.

Në intervistën për revistën “People” ai tregoi se nuk e ka parashikuar suksesin e tij në industrinë e Hollywoodit.

“Kurrë nuk kam menduar se do të bëhesha aktor protagonist në këtë industri. Unë vërtetë vetëm shpresoja që të mund ta siguroja jetesën si aktor, dhe të mos isha i detyruar të angazhohesha me punë dytësore për para shtesë. Mendoja se do të isha me fat nëse angazhohesha me ndonjë rol të vogël në ndonjë serial televiziv”.

Harrison ka luajtur role kryesore në disa prej filmave më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe vazhdon të jetë i pasionuar pas aktrimit sikurse në fillimet e karrierës.

Ylli i kinematografisë, i cili në muajin korrik feston ditëlindjen e 81-të, thotë se tani e shijon më shumë procesin e realizimit të filmave, sesa kur ishte i ri në moshë.

Në fillim të vitit, Ford zbuloi se gjithmonë e ka ëndërruar një kapitull të fundit në historinë e personazhit Indiana Jones. Aktori e ka luajtur këtë rol nga viti 1981, duke gëzuar suksese të jashtëzakonshme anembanë botës.

“Indiana Jones and the Dial of Destiny” vjen me regji të James Mangold, i cili edhe e ka bashkëshkruar skenarin e tij, dhe është i pari që nuk vjen i punuar nga regjisori Steven Spielberg apo i shkruar nga George Lucas. Në fakt, kësaj radhe ata shërbejnë në rolin e producentëve ekzekutiv të filmit.

Në këtë vazhdim të pestë, Indiana Jones është i shqetësuar për faktin që qeveria e SHBA ka rekrutuar ish-nazistë për të ndihmuar në mposhtjen e Bashkimit Sovjetik në garën për të arritur në hapësirë. Kështu, ai e fillon një aventurë të re në të cilën shoqërohet nga kumbara e tij, Helena.

Krahas Fordit në film po ashtu luajnë aktorët: Phoebe Weller-Bridge John Rhys-Davies, Mads Mikkelsen, Thomas Kretschmann, Boyd Holbrook, Shaunette Renee Wilson, Toby Jones, Antonio Banderas dhe Oliver Richters.

“Indiana Jones and the Dial of Destiny” lansohet nëpër kinema më 30 qershor 2023.