Rajon

Shqipëria në ndjekje të autorëve të zjarrvënies

Zjarr Shqiperi

Policia në Shqipëri që nga qershori e deri më 14 gusht ka identifikuar 137 autorë të zjarrvënies, prej të cilëve 46 janë arrestuar dhe 91 janë proceduar penalisht.

Bëhet e ditur se Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë aktualisht në terren duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.

VIDEO:

“Strukturat operacionale të Policisë së Shtetit po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile. Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarre. Blegtorët dhe fermerët janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim”, thuhet në njoftim.

Situata me zjarre mbetet kritike në Shqipëri e disa vende të rajonit. Janë raportuar 37 vatra aktive në të gjithë Shqipërinë, me përhapje të shpejtë të zjarrit dhe rrezik të lartë për shtëpitë. Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje të vazhdueshme për evakuim urgjent në disa zona të prekura, e policia e shtetit ka arrestuar 10 persona për zjarrvënie të qëllimshme.