Policia e Tiranës ka njoftuar se 271 persona janë arrestuar deri më tani në një javë protesta të dhunshme në Shqipëri. Në mesin e të arrestuarve një pjesë janë të mitur.
Ndërkohë vetëm të hënën siç njoftoi Policia, 33 persona u arrestuan, prej tyre 6 të mitur të moshave 15 deri në 17 vjeç.
“Policia tha se këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore. Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie”, tha policia”, thuhet në njoftim.
Në total, për 271 të arrestuarit në këto një javë protesta, në njoftim thuhet se 51 janë me precedent penalë për vepra të tjera.
“Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.