Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shqipëria hyn në ditën e tetë të protestave

shqiperia

Protestat e të rinjve në Shqipëri hyjnë sot në ditën e tetë. Ato nisën të martën e javës së kaluar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, por më pas u përshkallëzuan, me protestuesit që hodhën gurë dhe sende të tjera drejt objekteve publike e private, disa prej të cilave u dëmtuan. Të rinjtë po kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra. Protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. 

Rama: Janë plagosur më shumë policë sesa protestues

34 min. më parë / 20 tet 2026 08:53
edi rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp me ministren e Arsimit, ka folur për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke komentuar pjesëmarrësit në tubim, numrin e të lënduarve dhe reagimin e policisë. 

Rama deklaroi se rreth 200 efektivë policie dhe rreth 80 protestues janë lënduar, ndërsa iu referua edhe shifrave nga disa vende evropiane për të krahasuar rastet e lëndimeve gjatë protestave.

Sipas Ramës, një pjesë e të rinjve të përfshirë në protestë nuk janë studentë apo nxënës, por persona të maskuar, të cilët, sipas tij, janë paguar dhe sjellë nga periferitë për të sulmuar policinë dhe për të krijuar frymë terrori.

Duke iu referuar të dhënave nga Franca, Spanja dhe Gjermania, kryeministri foli për numrin e policëve dhe protestuesve që kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë protestave.

“Të rinj të maskuar, të paguar dhe të sjellë nga periferitë për të sulmuar policinë dhe për të krijuar frymën e terrorit. Jemi rreth 200 policë të lënduar dhe rreth 80 protestues të lënduar.
Në Spanjë, 883 protestues dhe vetëm 33 policë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Në Gjermani, 130 protestues dhe 34 policë kanë marrë ndihmë mjekësore. Kjo është një listë e ushtrimit joproporcional të forcës nga ana e policisë dhe shtetit në raport me protestuesit. Monopolin e forcës në demokraci e ka shteti. Vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë atë në mënyrë joproporcionale”, tha Rama.

Tutje Rama ka deklaruar se protestat po shfrytëzohen për të destabilizuar vendin dhe për të frenuar negociatat me BE-në. 

“Duart që janë futur këtu për të shfrytëzuar manifestimin e pakënaqësisë qytetare për arsye nga më të ndryshmet, janë duar që së bashku kërkojnë të shfrytëzojnë një moment, një boshllëk, një hapësirë të krijuar për të frenuar ecurinë e mëtejshme të vendit tonë, për të destabilizuar një vend që ka qenë eksportues i stabilitetit në këtë pjesë të Evropës, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe për ta frenuar procesin e negociatave në BE”, deklaroi Rama. 

Rama foli edhe në lidhje me qëndrimin e gjykatës në lidhje me arrestimet në protestë. Në fjalën e tij, ai shprehet se gjykatësit kanë qenë të kompleksuar përgjatë këtyre ditëve.

“Po përgatisim një paketë për ata që dhunojnë. Kush dhunon do të ndiqet nga hija e shtetit, që i kërkon një më një dëmshpërblimin. Gjykata, edhe pse në këndvështrimin tim ka lënë për të dëshiruar, i ka konsideruar të gjitha arrestet të ligjshme. Edhe pse në këtë rast, gjykatësit janë të kompleksuar nga trysnia e madhe e kësaj force të verbër. Edhe në rastet e ndalimit të të miturve gjykata ka dhënë vendim të mbikëqyrjes prindërore. Prindi ka përgjegjësinë e vet, edhe pse jemi të vetëdijshëm se në kushtet e veçanta sociale prindërit duhen ndihmuar, por prindërit do të jenë pjesë e përgjegjësisë së dëmit të shkaktuar nga fëmijët e tyre. Nuk ka ‘je i mitur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi’. Ulja e moshës për dënimin penal është një aspekt që ne po e studiojmë, siç po bën Europa, por ky është instrument i forcës së shtetit. Ne duam të ndjekim aspektin penal, të familjes që i ka këta fëmijë”, tha Rama mes të tjerash.