Forca të shumta të zjarrfikësve, të policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë, tash e 60 orë po luftojnë me flakët nga veriu në jug të Shqipërisë. Në 24 orët e fundit janë evidentuar 34 vatra, prej të cilave 17 janë ende aktive. Në shuarjen e zjarreve po marrin pjesë edhe 6 helikopterë
Me zjarret po lufton edhe Shqipëria. Në 24 orët e fundit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë evidentuar 34 vatra zjarri, nga të cilat deri në orët e pasdites të së hënës, 17 janë ende aktive, 6 janë nën monitorim dhe 11 janë shuar.
Forca të shumta të zjarrfikësve, të policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë, tash e 60 orë po luftojnë me flakët nga veriu në jug.
Në shuarjen e zjarreve janë përfshirë edhe 6 helikopterë.
“Forcat e angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarreve: 56 automjete zjarrfikëse; 953 forca operacionale; 5 helikopterë nga Forcat e Armatosura operuan në disa zona dhe 1 helikopter i ‘Canadair’, i ofruar nëpërmjet Mekanizimit të Mbrojtjes Civile Evropiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Sipas kësaj ministrie, qarqet Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër janë në nivel të lartë të rrezikut, kurse ato Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë në nivel të moderuar të rrezikut.
“Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, ta shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë pranë strukturave përkatëse për çdo vatër të dyshimtë”, thuhet në njoftim.
Me zjarret janë duke u përballur gati të gjitha vendet e Ballkanit.