Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Granit Shala më 13 prill synon titullin e Evropës në kategorinë e rëndë

Boksieri Granit Shala duke u stërvitur me trajnerin Agron Kurtishi

Boksieri Granit Shala duke u stërvitur me trajnerin Agron Kurtishi

Foto: Dustyn Alt

Boksieri kosovar Granit Shala më 13 prill në Gjermani do të boksojë me ukrainasin Oleksandr Zakhozhyi për titullin e Evropës, EBU, në kategorinë e rëndë në boksin profesionist.

Për Shalën 27-vjeçar, që karrierën e zhvillon në Gjermani, do të jetë meçi më i madh në karrierë.

Ai ka zhvilluar deri më tash 15 meçe dhe i ka fituar të gjitha, pesë prej tyre me ndërprerje.

Shala, që është pjesë e klubit Fight Power Academy në Gjermani, aktualisht është në fazën përgatitore në Spanjë.

Shala, 192 centimetra i gjatë, do të ketë përballë një boksier 14 centimetra më të madh. Ukrainasi Zakhozhyi është i pamposhtur në 18 meçe, ndërsa 14 prej tyre i ka fituar me nokaut.

Edhe “Bild” shkruan për boksierin shqiptar që hoqi plot 50 kilogramë dhe po kërkon titujt Luftarake “Bild” shkruan për boksierin shqiptar që hoqi plot 50 kilogramë dhe po kërkon titujt

Në Spanjë, 27-vjeçari ka bërë sparing me boksierin gjigant polak Mariusz Wach (202 centimetra), i cili kishte boksuar edhe për titull bote me Wladimir Klitschkon në vitin 2012.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jam shumë i motivuar dhe mezi po pres të paraqitem në ring”, ka thënë Shala për KOHËN.

Ai do të vazhdojë fazën e përgatitjeve më pas në Gjermani, ku do të bëjë sparing edhe me britanikun  shtatlartë Nick Campbell.

Trajneri dhe menaxheri i Shalës, Agron Kurtishi, ka thënë se synim e kanë ta fitojnë titullin e Evropës, që do të ishte hap i madh për Shalën për meçe më të mëdha.

Kurtishi ka treguar se ka qenë mjaft sfiduese derisa është caktuar kundërshtari i  Shalës për titull të Evropës.

Si opsione ishin përmendur Daniel Dietz, Tom Schwarz, Daniel Dubois e Joe Joyce ndër të tjerë. Por, ata refuzuan përballjen.

“Janë ndërruar disa kundërshtarë dhe faza përgatitore s’ka qenë e lehtë. Por, megjithatë jemi duke u përgatitur dhe synojmë titullin më 13 prill”, ka thënë Kurtishi.

Edhe Shala të shtunën përballet me kroatin Petar Milas për titullin IBF International Luftarake Shala të shtunën përballet me kroatin Petar Milas për titullin IBF International

Shala ka nisur karrierën më 25 nëntor të vitit 2017 në Munchen. Ai që nga fillimi i karrierë profesioniste ka qenë me trajnerin Kurtishi.

Nga boksierët shqiptarë të kategorisë së rëndë Luan Krasniqi kishte fituar titullin e Evropës, ndërsa Agrom Smakiçi boksoi për titull, por humbi nga Agit Kabayel.