Luftarake

Shala të shtunën përballet me kroatin Petar Milas për titullin IBF International

Granit Shala

Boksieri shqiptar i kategorisë së rëndë Granit Shala të shtunën mbrëma në Oberhausen do të ndeshet me kroatin Petar Milas në luftën për titullin IBF International. 

Përballja mes Shalës dhe Milasit do të jetë në mbrëmjen e madhe në të cilën meçin kryesor e ka Agit Kabayel që do ta mbrojë titullin WBC Interim World në peshën e rëndë kundër polakut Damian Knyba. 

Fitorja ndaj Milasit do t’ia hapte Shalës rrugën drejt titujve më të mëdhenj. 

Shala është pjesë e kompanisë së madhe promovuese gjermane Agon Sports. 

“Jam në formë shumë të mirë dhe jam optimist se do të triumfoj”, ka thënë Shala për “KOHËN”. 

E trajneri i Shalës, Agron Kurtishi, ka treguar se gjatë kampit kanë bërë stërvitje me emra si Carlos Rodriguez e Vladislav Sirenko. 

“Kemi pasur stërvitje shumë të mirë. Për partner sparingu kishim emra si Carlos Castillo Rodriguez, Vladislav Sirenko e Davide Vito ndër të tjerë. Sparingu ishte në nivel shumë të mirë dhe e kemi kaluar tepër mirë këtë fazë. Graniti është në formën më të mirë ndonjëherë”, ka thënë Kurtishi.  “Graniti e ka një kundërshtar shumë të mirë, por jemi optimist se do të fitojmë”. 

Shala 29-vjeçar në boksin profesionist ka bilanc prej 18 fitore, 7 me nokaut dhe një humbje. Humbjen e vetme e pësoi në prill të vitit 2024, kur në luftën për titullin e Evropës (EBU) u mposht me ndërprerje në raundin e dytë nga ukrainasi Oleksandr Zakhozhyi. 

Që nga atëherë Shala i ka fituar tri meçe rresht. 

Në boksin profesionist Shala debutoi në nëntor të vitit 2017. 

Kroati Milas 30-vjeçar ka bilanc prej 19 fitore (15 KO) dhe një humbje. Humbjen e vetme e pësoi nga francezi Tony Yoka në shtator të vitit 2021.  

Mbrëmja e boksit do të transmetohet nga DAZN. Kjo po shihet si mbrëmja më e madhe e boksit në Gjermani në vitet e fundit. 

Boksieri turk me shtetësi gjermane Kabayel do të boksojë për herë të parë në Gjermani pas afro tri vjetëve. 

Tri meçet e fundit ai i zhvilloi në Arabi Saudite duke mposhtur emra të mëdhenj si Arslanbek Makhmudov, Frank Sanchez dhe Zhilei Zhang. Titullin WBC Interim World e fitoi në shkurt të vitit të kaluar kur e nokautoi në raundin e gjashtë kinezin Zhilei Zhang.