Boksieri kosovar, Granit Shala, e ka pësuar humbjen e dytë në karrierë. Por disfata e së shtunës mbrëma në Oberhausen të Gjermanisë ishte goxha e rëndë. Ai pësoi me ndërprerje në raundin e dhjetë nga kroati Petar Milas.
Fillimisht Milasi e rrëzoi Shalën, që megjithatë u ngrit dhe vazhdoi meçin. Pasoi një seri e goditjeve të forta të kroatit dhe dukej që Shala mezi qëndronte në këmbë. Madje Milas bëri me dorë nga gjyqtari që ta ndërpriste meçin. Por gjyqtari nuk reagoi. Kroati i bëri edhe dy goditje dhe Shala u rrëzua për herë të dytë. Derisa gjyqtari po numëronte dhe Shala mezi po ngritej, trajneri i kosovarit e hodhi peshqirin në shenjë dorëzimi të meçit. Në fakt dukej që Shala e kishte të pamundur të vazhdonte më.
Meçi, i planifikuar në dhjetë raunde, ishte i vlefshëm për titullin “IBF International”. Titullin e fitoi kroati Milas.
Sipas raportimeve, Shala ishte në epërsi në pikë para raundit të dhjetë. Në aspektin taktik ai u vlerësua se boksoi mirë, por fizikisht përparësia ishte e kroatit.
29-vjeçari Shala ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale. Ka thënë se është mirë.
Edhe
Shala të shtunën përballet me kroatin Petar Milas për titullin IBF International
“Përshëndetje për të gjithë. Dua t’iu njoftoj se jam mirë, falë Zotit. Nuk ishte e thënë të ndodhte kështu, por unë jam luftëtar dhe udhëtimi im do të vazhdojë. Kjo është lufta në kategorinë e rëndë – një goditje mund të ndryshojë gjithçka. Fatkeqësisht. Faleminderit për fjalët e mira”, ka shkruar Granit Shala.
Ai tani ka 18 fitore e dy humbje në karrierë. Shtatë prej fitoreve i ka me ndërprerje, njëjtë si dy humbjet. “Boxen1” e ka vlerësuar si të mirë luftën e Shalës, por ka kritikuar vendimin e gjyqtarit për ta vazhduar meçin pas goditjeve të kroatit.
Karriera e Shalës vlerësohet interesante edhe për faktin se ishte mbipeshë që nga fëmijëria. Ka hequr plot 50 kilogramë dhe vlerësohet me potencial për suksese në kategorinë e rëndë. Por humbja e së shtunës do t’ia zgjatë rrugën drejt titujve.
Kroati Milas tani ka 20 fitore e një humbje. 16 prej fitoreve i ka me ndërprerje.
Mbrëmja e së shtunës në Oberhausen ishte më e madhja e boksit në Gjermani për më shumë se një dekadë. Ishin 13 mijë shikues.
Edhe
“Bild” shkruan për boksierin shqiptar që hoqi plot 50 kilogramë dhe po kërkon titujt
Në meçin kryesor të mbrëmjes, Abit Kabayel fitoi me nokaut teknik në raundin e tretë ndaj polakut Damian Knyba. Media të ndryshme e kanë vlerësuar fitoren e Kabayelit si kundërthënëse, duke shkruar se gjyqtarët vendosën herët për ndërprerje të meçit. Kabayel e përfaqëson Gjermaninë, ndërsa është me prejardhje kurde.
Tani Kabayeli pritet të përballet me kampionin e pamposhtur, Oleksandr Usyk. Kabayeli ka mbajtur titullin e përkohshëm të botës në versionin WBC dhe ka kërkuar luftë me yllin ukrainas, Usyk.
Peter Milas Round 10 KO over Granit Shala. Arguably a late stoppage imo Granit looked out on his feet #KabayelKnyba pic.twitter.com/UK5AIskZIE
— TopFloorBossKD (CombatUTC) (@TFB_KD) January 10, 2026