Luftarake

Bokson pa gjysmën e gishtit, vuajti burgun dhe iu tha ta ndryshonte emrin

k

Të shtunën është ngjarja e madhe. 33-vjeçari Abit Kabayel, që është boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë në Gjermani, përballet me polakun 29-vjeçar, Damian Knyba. 

Si kampion i përkohshëm i botës në versionin WBC, Kabayel do të duhej të boksonte për titull me kampionin ukrainas, Oleksandr Usyk. Por kampioni i pamposhtur hoqi dorë nga meçi me arsyetim se ndien dhembje në shpinë.

Mbrëmja e së shtunës është më e madhja e boksit profesionist në Gjermani që kur Wladimir Klitschko luftoi kundër Tyson Furyt në vitin 2015, para 55 mijë shikuesve në Dusseldorf.

Të shtunën priten 13 mijë shikues në Oberhausen. 

“Për mua është nder i madh. Për boksin po flitet sërish më shumë në publik”, ka thënë Kabayel.

Kjo duket e vërtetë. Sa më shumë që afrohet meçi, aq më të shumta janë shkrimet për 33-vjeçarin me prejardhje kurde. Për kohë të gjatë Kabayel është përmendur vetëm në momente. 

Në një dokumentar në DAZN, ai tha: “Nuk mendoj se jam pranuar si top-sportist. Gjatë karrierës sime më është thënë shpesh se duhet ta ndryshoj emrin, por pse? A do të isha më pas person tjetër? A do të isha më pas më shumë gjerman?”.

Mediumi zviceran “20 Minuten” po ashtu ka folur me Kabayelin para meçit. Lidhur me origjinën dhe identitetin e tij, ai është i qartë: “Gjermania është shtëpia ime. Jam i lindur këtu, kam shkuar në shkollë këtu dhe kam mësuar vlerat si zelli dhe puna e madhe”.

Por në të njëjtën kohë ai asnjëherë nuk harron rrënjët.

“Prindërit e mi janë nga Kurdistani dhe unë kam përkrahje të jashtëzakonshme prej atje. I prezantoj me krenari të dy anët në skenën botërore”.

Ai ka thënë se nuk është nervoz para meçit me Knyban.

“Natyrisht, ka tension, por ai është i shëndetshëm dhe thjesht pjesë e kësaj. Asgjë nuk është më e vështirë se kampi stërvitor të cilin e kam kompletuar më parë. Jam përgatitur shumë mirë”, ka thënë Kabayel që e vlerëson veten favorit.

Ai e di që në kategorinë e rëndë një goditje mund ta vendosë sfidën.

Kabayeli ka pasur jetë të trazuar. Babai i një vajze të vogël, kaloi gjashtë muaj në burg. Ishte dënuar për sulm të rëndë. Një incident në moshë të re, kur i doli në ndihmë vëllait, solli akuzat dhe më pas dënimin. Fillimisht ishte dënuar me tri vjet burg, por pas ankesës u detyrua të vuajë dënim prej gjashtë muajve.

“Koha në burg ndryshoi çdo gjë. Kam menduar çdo ditë për vete: Çka po bëj këtu? Ky nuk është vend ku duhet të jem! Në të njëjtën kohë nëna ime ishte shumë e sëmurë. Këto gjëra patën ndikim shumë të madh tek unë”, thotë Kabayel.

Boksieri thotë se ndryshoi plotësisht në burg dhe mësoi disiplinën atje. Ai e di se si të përballet me vështirësi. Ndër të tjera bokson vetëm me nëntë gishta e gjysmë. Në moshën 5-vjeçare ai humbi majën e gishtit tregues të dorës së majtë në një incident në kuzhinë, në dyqanin e donerit të prindërve të tij në Bochum. Megjithatë kjo nuk ka ndikim në të.

“Në dorezat e boksit nuk ke gishta të ndarë. Dhe fakti që më mungon gjysma e gishtit nuk ka ndonjë ndikim”, shpjegon ai. “Ashtu si tregon seria ime e nokauteve, nuk është ndonjë disavantazh”.

Në ring Kabayel nuk ka probleme. Është makinë.

Bilanci i tij është i jashtëzakonshëm. 26 luftëra, 26 fitore. 18 prej tyre me ndërprerje.