Kandidatët e partive politike për kryetar të Fushë-Kosovës në zgjedhjet e 17 tetorit kanë premtuar një sërë ndryshimesh në këtë komunë.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Rrahim Tërnava, ka thënë se prioritet ka arsimin, kulturën rininë dhe sportin. Ai ka thënë se në mandatin e tij, do të investohen 3 milionë euro në këto tri fusha.
Tërnava po ashtu ka thënë se do të bëjnë investime në infrastrukturë në vlerë prej mbi 8 milionë euro, dhe ka premtuar transport publik falas për të gjithë banorët e Fushë-Kosovës.
“Prioritet kemi në arsim, kulturë rini dhe sport. Kemi paraparë 3 milionë euro në mandatin tonë për t’i investuar në këto tri fusha. Në shëndetësi dhe qendrat sociale, janë paraparë mbi 2 milionë euro. Në infrastrukturë, edhe aty kemi parë mbi 8 milionë euro, në ambient ku është ndotja më e madhe në Kosovë në komunën tonë, pasi thithim ajrin më të keq, pasi kemi Obiliqin dhe veturat e shumta që qarkullojnë në komunën tonë. Do të ofrohet transport publik falas për të gjithë qytetarët në komunën tonë, në mënyrë që të mos lëvizin me vetura, duke ndotur kështu më shumë ambientin”, ka thënë Tërnava në “Zgjedhjet në KOHË” në KTV.
Ai po ashtu ka thënë se do të të ofrojnë një zonë të lirë që do të bëhet zonë e transportit të mallrave, në Miradi të Epërme.
Edhe
Ujë të pijshëm e subvencione për lehona dhe studentë, premtojnë kandidatët e LDK-së
Enver Bajçinca, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Fushë-Kosovës ka thënë se uji dhe infrastruktura janë prioritete të tij, nëse e fiton një mandat në krye të kësaj komunë.
Bajçinca ka thënë se ka paraparë gjashtë shtylla në programin e tij.
“I kam renditur gjashtë shtylla të programit, kemi paraparë investime kapitale në ngritjen e cilësisë në arsim, krijimin e infrastrukturës dhe përkrahjen e aktiviteteve të kulturës dhe sportit. Kemi paraparë përkrahje për bizneset dhe agrobizneset. Të gjitha në total investime kapitale janë 27 milionë euro”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Hasan Ismajli, ka thënë se uji i pijshëm dhe infrastruktura janë dy problemet kryesore në Fushë-Kosovë.
Edhe
Abrashi premton 20 milionë euro për ujin e pijshëm në Prizren
Ismajli ka përmendur 7 shtylla që ai i ka quajtur kryesore në programin e tij.
“Kam 7 shtylla: bujqësia, ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, sporti, shërbimet publike dhe administrata. Kisha filluar nga infrastruktura. Meqë tani ka kaluar para një viti harta zonale, ato na ndihmojnë te ruajtja e infrastrukturës e cila deri sot nuk është ruajtur. Pjesë tjetër është te shërbimet publike. Në shërbimet publike kemi problem trotuaret që janë të uzurpuara pasi një pjesë e lokaleve janë të ndërtuara jashtë. Pjesa tjetër është që në një pjesë ku ka filluar ndërtimi i ri, aty duhet të jetë strikt ruajtja e infrastrukturës, të zgjerohen rrugët”, ka thënë Ismajli.