Lifestyle

Trajtimi i ri që kuroi disa pacientë nga kanceri i gjakut

Alyssa Tapley, 16 vjeçe. Fotografi nga BBC.

Alyssa Tapley, 16 vjeçe. Fotografi nga BBC.

Një trajtim i ri dhe revolucionar, që dikur do të dukej si fantashkencë, ka arritur të kurojë një formë agresive dhe të pashërueshme të kancerit të gjakut te disa pacientë, njoftojnë mjekët, ka raportuar BBC.

Bëhet fjalë për një terapi që ndryshon me saktësi ADN-në e qelizave të bardha të gjakut, duke i kthyer ato në një lloj “ilaçi të gjallë” që lufton kancerin.

Vajza e parë që u trajtua me këtë metodë, historia e së cilës u raportua në vitin 2022, vazhdon të jetë pa shenja sëmundjeje edhe sot dhe tashmë ka plane të bëhet shkencëtare në fushën e kancerit.

Alyssa Tapley, 16 vjeçe

Që atëherë, edhe tetë fëmijë dhe dy të rritur me leukemi akute limfoblastike të qelizave T janë trajtuar me këtë terapi. Sipas mjekëve, gati dy të tretat e pacientëve, rreth 64 për qind, kanë hyrë në remision.

Qelizat T zakonisht janë “rojtarët” e trupit, që kërkojnë dhe shkatërrojnë kërcënimet. Por në këtë lloj leukemie, ato fillojnë të shumohen në mënyrë të pakontrolluar.

Për pacientët që morën pjesë në studim, kimioterapia dhe transplantet e palcës kurrizore kishin dështuar, dhe përveç këtij trajtimi eksperimental, alternativa e vetme ishte vetëm lehtësimi i dhimbjeve në fund të jetës.

“Vërtet mendoja se do të vdisja dhe se nuk do të rritesha kurrë për të bërë gjërat që çdo fëmijë meriton t’i bëjë”, ka thënë 16-vjeçarja Alyssa Tapley nga Leicester.

Ajo ishte personi i parë në botë që mori këtë trajtim në spitalin Great Ormond Street dhe sot po e shijon jetën. Trajtimi revolucionar, i kryer tre vjet më parë, përfshinte shkatërrimin e plotë të sistemit të saj imunitar dhe ndërtimin e një sistemi të ri. Alyssa ka kaluar katër muaj në spital dhe nuk mundi ta shihte as vëllain e saj, nga frika e infeksioneve.

Sot ajo nuk ka  kancer dhe i mjaftojnë vetëm kontrolle vjetore. Ajo po kryen provimet në shkollë, po merr pjesë në programin “Duka i Edinburgut”, po mendon të mësojë ta ngasë veturën dhe për të ardhmen e saj.

“Po mendoj të ndjek një praktikë në shkencën biomjekësore dhe shpresoj që një ditë të merrem edhe me studime për kancerin e gjakut”, ka thënë ajo.

Ekipi i University College London dhe spitalit Great Ormond Street përdori një teknologji të quajtur “base editing” (editim i bazave). Bazat janë gjuha e jetës: katër bazat e ADN-së, adenina, citozina, guanina dhe timina, formojnë udhëzimet e trupit të njeriut. Si shkronjat që formojnë fjalë, miliarda baza krijojnë “manualin” e trupit.

Kjo teknologji u lejon shkencëtarëve të ndryshojnë me saktësi vetëm një bazë të vetme në kodin gjenetik, duke rishkruar udhëzimet e trupit.

Qëllimi ishte të përdoreshin qelizat T të shëndetshme për të luftuar leukeminë e qelizave T, pa e shkatërruar vetë terapinë. Procesi ishte shumë i ndërlikuar dhe përfshiu disa ndryshime gjenetike, që i lejojnë qelizat të sulmojnë qelizat kancerogjene pa e dëmtuar veten.

Terapia u injektua te pacientët dhe, nëse pas katër javësh kanceri nuk zbulohej më, pasonte transplanti i palcës kurrizore për të rindërtuar sistemin imunitar.

“Para disa vitesh, kjo do të ishte quajtur fantashkencë. Ne në thelb duhet ta çmontojmë të gjithë sistemin imunitar. Është një trajtim shumë i thellë dhe i vështirë për pacientët, por kur funksionon, rezultatet janë shumë të mira”, ka thënë profesor Waseem Qasim nga UCL dhe Great Ormond Street.

Studimi, i publikuar në New England Journal of Medicine, përfshin 11 pacientë të trajtuar në Great Ormond Street dhe King’s College Hospital. Nëntë prej tyre arritën remision të thellë që u mundësoi transplant të palcës kurrizore, ndërsa shtatë mbeten pa shenja sëmundjeje nga tre muaj deri në tre vjet pas trajtimit.

Një nga rreziqet kryesore janë infeksionet gjatë periudhës kur sistemi imunitar është i shkatërruar. Në dy raste, kanceri arriti të humbasë shenjën CD7 dhe u rikthye.

“Duke pasur parasysh sa agresive është kjo formë leukemie, këto rezultate janë vërtet mbresëlënëse. Jam shumë i kënaqur që arritëm t’u japim shpresë pacientëve që e kishin humbur”, ka thënë doktori Robert Chiesa nga Great Ormond Street.

Edhe doktoresha Deborah Yallop nga King’s College Hospital u shpreh se kanë parë rezultate shumë të forta në zhdukjen e një leukemie që dukej e pashërueshme.

Ndërsa doktoresha Tania Dexter nga organizata bamirëse Anthony Nolan ka shtuar se duke ditur se këta pacientë kishin shumë pak shanse mbijetese përpara studimit, këto rezultate sjellin shpresë se trajtime të tilla do të përparojnë dhe do të jenë në dispozicion për më shumë njerëz.