Studimi i ri, i publikuar në revistën shkencore Cell Reports, sugjeron se njerëzit që arrijnë moshën 100 vjeç e më shumë mund të kenë një avantazh të veçantë në sistemin imunitar, ka shkruar Science Alert.
Studiuesit zbuluan se te personat shumë të moshuar rritet ndjeshëm numri i një lloji të rrallë qelizash imunitare të quajtura CD4 CTL, të cilat mund të sulmojnë dhe shkatërrojnë qeliza të infektuara, të dëmtuara ose kancerogjene.
Në studim u analizuan mostrat e gjakut të 28 japonezëve. Te personat në të 70-at, 80-at dhe 90-at, këto qeliza përbënin mesatarisht rreth 4 për qind të qelizave të analizuara.
Te personat mbi 100 vjeç, përqindja ishte rreth 9.6 për qind, ndërsa te ata që kishin kaluar 110 vjeç arrinte në 17.6 për qind.
Edhe më interesante është se këto qeliza nuk dukeshin të lodhura. Ato ishin aktive dhe në gjendje të shumoheshin.
Edhe
Në Brazil jetojnë personat më të moshuar në botë dhe shkencëtarët duan ta dinë pse
“Plakja e sistemit imunitar nuk është thjesht një proces rënieje. Zgjerimi i disa llojeve të qelizave T tregon se edhe në moshë shumë të madhe sistemi imunitar mund të vazhdojë të përshtatet me sfidat që sjell plakja”, ka thënë doktori Kosuke Hashimoto.
Studiuesit zbuluan se shumë prej këtyre qelizave ishin kopje të së njëjtës qelizë fillestare. Kjo tregon se ato mund të jenë shumuar pasi sistemi imunitar është përballur me një kërcënim të caktuar.
Mesatarisht, rreth 33 për qind e CD4 CTL-ve te pjesëmarrësit ishin klone të së njëjtës qelizë. Në një person mbi 100 vjeç, rreth gjysma e këtyre qelizave ishin kopje të njëra-tjetrës.
Sipas studiuesve, me kalimin e moshës shtohen qelizat e dëmtuara, qelizat e plakura dhe qelizat kancerogjene. Një sistem imunitar që përshtatet dhe forcon këto “qeliza luftëtare” mund të ndihmojë disa njerëz të përballojnë më mirë këto kërcënime.
Edhe
Konsumuesit e kafesë mund të kenë më pak yndyrë në trup dhe më shumë muskuj
“Ndërsa plakemi, qelizat jonormale, përfshirë qelizat e plakura dhe kancerogjene, bëhen më të zakonshme. Gjetjet tona sugjerojnë se përshtatja e sistemit imunitar ndaj këtyre ndryshimeve mund të kontribuojë në jetëgjatësinë e jashtëzakonshme”, ka thënë Hashimoto.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk është provuar ende se këto qeliza janë arsyeja pse disa njerëz jetojnë mbi 100 vjeç. Studimi ishte i vogël dhe përfshinte vetëm pjesëmarrës japonezë, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë botërore.