Me kalimin e moshës, sistemi imunitar i njeriut dobësohet gradualisht.
Numri i qelizave T bie dhe ato reagojnë më ngadalë ndaj infeksioneve, duke rritur rrezikun për sëmundje të ndryshme.
Tani, shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) dhe në Broad Institute kanë zbuluar një mënyrë për ta forcuar përkohësisht funksionin e sistemit imunitar, duke riprogramuar qelizat e mëlçisë që të ndihmojnë zhvillimin e qelizave T, ka shkruar SciTechDaily.
Qëllimi i kësaj metode është të kompensohet dobësimi i timusit, organit ku qelizat T piqen normalisht, por që me moshën humbet funksionin e tij.
Studiuesit përdorën mRNA për të dërguar tre faktorë të rëndësishëm që ndihmojnë mbijetesën dhe zhvillimin e qelizave T. Kjo qasje rifreskoi funksionin imunitar te minjtë e moshuar.
Pas trajtimit, këta minj prodhuan më shumë qeliza T dhe me larmi më të madhe pas vaksinimit, si dhe treguan reagim më të mirë ndaj imunoterapisë kundër kancerit.
Sipas shkencëtarëve, nëse kjo strategji përshtatet për përdorim te njerëzit, ajo mund të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit gjatë plakjes.
“Nëse arrijmë të rikthejmë diçka kaq thelbësore si sistemi imunitar, shpresojmë t’u ndihmojmë njerëzve të qëndrojnë pa sëmundje për periudhë më të gjatë të jetës”, ka thënë Feng Zhang, profesor në MIT dhe autori kryesor i studimit.
Zhang është gjithashtu pjesë e McGovern Institute for Brain Research, Broad Institute të MIT dhe Harvardit, si dhe studiues në Howard Hughes Medical Institute.
Autori kryesor i artikullit shkencor është Mirco Friedrich, ish-studiues pasdoktoral në MIT. Studimi është publikuar në revistën Nature.