Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Multivitaminat mund të ngadalësojnë plakjen biologjike te të moshuarit

Multivitaminat

Multivitaminat

Marrja e përditshme e multivitaminave mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes biologjike te të moshuarit, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Nature Medicine, ka raportuar NBC News.

Në studim kanë marrë pjesë 958 persona të moshuar. Ata që morën një multivitaminë çdo ditë për dy vjet u plakën biologjikisht rreth katër muaj më pak sesa pritej. Me fjalë të tjera, gjatë 24 muajve të studimit, qelizat e tyre u plakën sikur kishin kaluar vetëm rreth 20 muaj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studiuesit shpjegojnë se ekziston një dallim mes moshës kronologjike dhe asaj biologjike. Mosha kronologjike është sa vite kanë kaluar që nga lindja, ndërsa mosha biologjike tregon sa shumë është plakur ose konsumuar trupi në nivel qelizor.

Kjo do të thotë se një person mund të jetë 50 vjeç në dokumente, por biologjikisht të jetë më i ri ose më i vjetër, varësisht nga gjenetika, stili i jetesës dhe historia shëndetësore.

Howard Sesso, profesor në Harvard Medical School dhe studiues në Brigham and Women’s Hospital, ka thënë se rezultati nuk do të thotë se multivitaminat e zgjasin jetën me katër muaj.

“Ajo që sugjerojnë është se trajektorja e shëndetit në të ardhmen mund të përfitojë. Është e vështirë të dimë saktësisht se çfarë përfaqësojnë këta katër muaj”, ka thënë ai.

Studimi ishte pjesë e projektit të madh COSMOS Study, i cili shqyrton nëse ekstrakti i kakaos dhe multivitaminat mund të ulin rrezikun e kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.

Pjesëmarrësit ishin burra mbi 60 vjeç dhe gra mbi 65 vjeç, me moshë mesatare rreth 70 vjeç. Ata u ndanë në katër grupe:

-multivitaminë dhe ekstrakt kakaoje

-vetëm multivitaminë

-vetëm ekstrakt kakaoje

-placebo (pilula pa përbërës aktiv).

Pas dy vjetësh, shkencëtarët analizuan ndryshimet në ADN përmes të ashtuquajturave “orë epigjenetike”, biomarkera apo analiza që tregojnë se sa shpejt po plaket organizmi.

Rezultatet kanë treguar se njerëzit që morën multivitamina u plakën pak më ngadalë sipas dy prej pesë matjeve biologjike. Njëra tregoi ngadalësim prej rreth 1.4 muajsh, ndërsa tjetra rreth 2.6 muajsh.

Ndërkohë, ekstrakti i kakaos nuk ka treguar ndonjë ndikim në plakjen biologjike.

Studiuesit kanë theksuar se ky rezultat është modest dhe nuk duhet interpretuar si një mënyrë për të “rinovuar” trupin.

“Askush nuk mendon se marrja e një multivitamine do t’ju bëjë papritur më të rinj”, ka thënë epidemiologu Daniel Belsky nga Universiteti i Columbias.

Çka është plakja biologjike?

Plakja biologjike i referohet procesit gradual me të cilin qelizat, indet dhe organet humbin funksionin dhe aftësinë për t’u rigjeneruar me kalimin e kohës.

Sipas studiuesve, ky proces është faktori kryesor që lidhet me shumicën e sëmundjeve kronike dhe me vdekjen.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kërkohen më shumë studime për të kuptuar nëse multivitaminat mund të përmirësojnë realisht funksionin e indeve ose të ulin rrezikun e sëmundjeve.

Danica Chen nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley ka thënë se biomarkerët e përdorur në studim janë shumë të avancuar, por ende nuk mjaftojnë për të rekomanduar zyrtarisht ndërhyrje kundër plakjes.

Studimi kishte edhe disa kufizime.

Shumica e pjesëmarrësve ishin të bardhë dhe në përgjithësi të shëndetshëm, ndaj nuk dihet nëse rezultatet do të jenë të njëjta për popullata më të ndryshme ose për njerëz me sëmundje kronike.

Pse multivitaminat mund të jenë të dobishme për të moshuarit?

Ekspertët thonë se plakja e shëndetshme nuk varet nga një faktor i vetëm. Ajo lidhet me një kombinim elementësh si ushqimi i balancuar, aktiviteti fizik dhe kujdesi për shëndetin në përgjithësi.

Megjithatë, disa të moshuar mund të kenë vështirësi për të marrë të gjitha vitaminat dhe mineralet nga ushqimi.

Dietologia Joanne Slavin nga Universiteti i Minnesotas ka thënë se me kalimin e moshës disa njerëz e kanë më të vështirë të përgatisin ushqim ose të lexojnë etiketat e produkteve.

Përveç kësaj, me moshën zvogëlohet aftësia e trupit për të përthithur disa vitamina, si vitamina B12, gjë që rrit rrezikun e mungesës së saj sidomos pas moshës 75 vjeçe.

Megjithatë, shkencëtarët thonë se është ende e paqartë se cili përbërës i multivitaminave mund të jetë përgjegjës për efektin e vërejtur.

“Nuk e dimë nëse është vitamina C, acidi folik apo një kombinim i disa vitaminave”, ka thënë Slavin.