Anglia është rrugës për t’u bërë një nga vendet e para në botë që eliminon hepatitin C, një virus që prek mëlçinë dhe mund të shkaktojë dëmtime serioze nëse nuk trajtohet, ka shkruar BBC.
Sipas të dhënave të fundit, objektivi për të trajtuar 80 për qind të rasteve të diagnostikuara tashmë është arritur. Që nga viti 2015, më shumë se 100 mijë persona janë diagnostikuar dhe trajtuar për hepatitin C në Angli.
Vdekjet e lidhura me virusin janë ulur me 36 për qind gjatë dekadës së fundit, ndërsa trajtimi me tableta antivirale për vetëm 8 deri në 12 javë mund të shërojë më shumë se 95 për qind të rasteve.
Hepatiti C përhapet përmes kontaktit me gjak të infektuar, për shembull përmes përdorimit të përbashkët të gjilpërave. Gjaku i dhuruar kontrollohet për virusin.
Sëmundja shpesh quhet “e heshtur”, sepse shumë njerëz nuk kanë simptoma për vite me radhë. Pa trajtim, ajo mund të shkaktojë dëmtime të rënda në mëlçi dhe potencialisht kërcënuese për jetën.
Edhe
Historia e Krishtlindjes
Në vitin 2024, rreth 50,200 të rritur besohet se jetonin me hepatit C në Angli. Rreth 84.6 për qind e tyre ishin diagnostikuar, pak më poshtë objektivit prej 90 për qind.
Programet e testimit në urgjenca, te mjekët e familjes dhe përmes testeve falas në shtëpi kanë ndihmuar në zbulimin e shumë rasteve që më parë nuk ishin diagnostikuar.
“Anglia tashmë po udhëheq botën në përpjekjet për ta eliminuar këtë sëmundje dhe është në rrugën për të tejkaluar objektivin e OBSH-së për vitin 2030. Por ne jemi të vendosur të ruajmë ritmin dhe ta përfundojmë këtë mision”, ka thënë profesori Frankie Swords, drejtor në institucionin shëndetësor kombëtar të shëndetësisë në Britani (NHS).
Autoritetet u bëjnë thirrje sidomos personave me rrezik më të lartë që të testohen. Testi i hepatitit C mund të porositet falas dhe në mënyrë konfidenciale për t’u kryer në shtëpi.
Paul Eatwell, 65 vjeç, nga Blackburn, u diagnostikua rastësisht gjatë një analize rutinë gjaku.
“Reagimi im i parë ishte mosbesimi. Mbaj mend që thashë: ‘A jeni të sigurt? Me siguri ka ndodhur ndonjë gabim.’ Nuk ndihesha i sëmurë. Vazhdoja të pyesja veten se si mund ta kisha marrë”, ka thënë ai.
Edhe
Sa diell na duhet vërtet?
Mjekët nuk kanë përcaktuar me siguri se si e kishte marrë virusin, por dyshohet se mund të lidhej me një ndërhyrje kirurgjikale që kishte kryer në Afrikën e Jugut disa dekada më parë.
Me trajtime moderne që shërojnë mbi 95 për qind të rasteve, zbulimi i hershëm dhe testimi janë çelësi për eliminimin e hepatitit C.