Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Analizat e gjakut mund të zbulojnë shenjat e sëmundjeve inflamatore të zorrëve deri në 10 vjet para diagnozës

Sëmundjet inflamatore të zorrëve

Sëmundjet inflamatore të zorrëve

Modelet e antitrupave në gjak mund t’u ndihmojnë mjekëve të identifikojnë personat në rrezik nga sëmundjet inflamatore të zorrëve shumë vite para se të shfaqen simptomat, sugjeron një studim i ri, ka shkruar The Guardian.

Sëmundja e Crohnit dhe koliti ulceroz janë dy format kryesore të këtyre sëmundjeve, të cilat shkaktojnë inflamacion kronik të traktit tretës, dhimbje barku, diarre dhe lodhje. Zakonisht, trajtimi fillon vetëm pasi shfaqen simptomat, kur zorrët mund të jenë dëmtuar tashmë.

Megjithatë, studiuesit zbuluan se sistemi imunitar mund të japë sinjale paralajmëruese deri në një dekadë para diagnozës.

“Për një kohë të gjatë, kemi mundur ta trajtojmë sëmundjen inflamatore të zorrëve vetëm pasi dëmtimi ka ndodhur, dhe për shumë njerëz kjo është tepër vonë”, ka thënë doktori Arno Bourgonje nga Qendra Mjekësore Universitare e Groningenit në Holandë dhe Shkolla e Mjekësisë “Icahn” në Mount Sinai, në New York.

Ai ka theksuar se sëmundja mund të fillojë vite para shfaqjes së simptomave, ndërsa sistemi imunitar lë gjurmë që mund të zbulohen më herët. Megjithatë, ai ka sqaruar se kjo nuk është ende një analizë që mund të parashikojë me siguri nëse dikush do të sëmuret.

Ekipi analizoi 2.000 mostra gjaku nga 500 pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Prej tyre, 200 persona zhvilluan më vonë sëmundjen e Crohnit, 200 kolitin ulceroz, ndërsa 100 nuk zhvilluan asnjërën prej tyre.

Studiuesit kërkuan antitrupa që sistemi imunitar prodhon si reagim ndaj baktereve, viruseve, ushqimeve dhe proteinave të vetë organizmit.

Te personat që zhvilluan sëmundjen e Crohnit, u gjetën më shpesh antitrupa kundër virusit Epstein-Barr, i cili mund të shkaktojë mononukleozën infektive. Dallimet ishin të dukshme deri në 10 vjet para diagnozës dhe sinjali ishte më i fortë te personat që më vonë zhvilluan forma më të rënda të sëmundjes.

Ndërkaq, personat që zhvilluan kolit ulceroz kishin një model tjetër antitrupash, përfshirë antitrupa kundër një proteine të vetë trupit.

Gjetjet, të publikuara në revistën shkencore Gut dhe të prezantuara në një konferencë evropiane të gastroenterologjisë në Barcelonë, duhet të konfirmohen në grupe të tjera njerëzish. Studimi tregon një lidhje mes këtyre shenjave imunitare dhe sëmundjeve, por nuk provon se infeksionet i shkaktojnë ato.

Profesori i gastroenterologjisë James Lindsay, i cili nuk ka qenë i përfshirë në studim, ka thënë se studimi ofron njohuri të rëndësishme për shkaqet e sëmundjes së Crohnit dhe kolitit ulceroz, si dhe mund të ndihmojë në identifikimin e personave në rrezik. Megjithatë, ai paralajmëroi se këto metoda janë ende mjete kërkimore dhe nuk janë gati për përdorim të zakonshëm në spitale.

Shkencëtarja Marinanne Radcliffe ka thënë se po shpreson që, në të ardhmen të bëhet identifikimi i hershëm i personave në rrezik, në mënyrë që të mundësojë trajtim përpara se të ndodhë dëmtimi i zorrëve, madje edhe parandalimin ose vonimin e zhvillimit të sëmundjes.