Lifestyle

Suplementi i zakonshëm që po ngjall shqetësim për shkak të lidhshmërisë me probleme në zemër

Suplementet

Suplementet

Një studim i ri mbi një suplement që shërben si ndihmës i zakonshëm për gjumë, ka shqetësuar disa shkencëtarë.

Një analizë e të rriturve me pagjumësi, e cila nuk është shqyrtuar ende nga shkencëtarë të tjerë, ka gjetur se personat që përdorin melatoninë për më shumë se një vit kanë rrezik më të lartë për probleme të zemrës, ka shkruar ScienceAlert.

Në më shumë se 130,000 të rritur nga disa vende të botës, ata që merrnin melatoninë për një kohë të gjatë kishin 89 për qind më shumë rrezik për dështim të zemrës brenda pesë vjetëve dhe ishin dy herë më të rrezikuar të vdisnin nga çdo shkak, krahasuar me ata që nuk e merrnin.

Sidoqoftë, rezultatet janë paraprake dhe nuk ndryshojnë rekomandimet aktuale shëndetësore. Ato nuk do të thonë domosdoshmërisht se melatonina, produkti natyral i katërt më i popullarizuar te të rriturit në SHBA, po shkakton pasoja të rrezikshme.

Por studimi sugjeron se përdorimi afatgjatë i melatoninës duhet të studiohet më shumë për sigurinë e tij.

Melatonina zakonisht konsiderohet e sigurt për përdorim të shkurtër, rreth 1-2 muaj, te gratë që nuk janë shtatzëne ose nuk ushqejnë me gji. Për përdorimin e saj më gjatë ka shumë pak studime, diçka që disa ekspertë mendojnë se duhet të ndryshojë, sidomos ndërsa ky suplement po bëhet gjithnjë e më popullor.

Studimi u prezantua në American Heart Association's Scientific Sessions.

“Suplementet me melatoninë mund të mos jenë aq të padëmshme sa mendohet zakonisht. Nëse studimi ynë konfirmohet, kjo mund të ndikojë në mënyrën se si mjekët këshillojnë pacientët për ndihmësit për të fjetur”, ka thënë studiuesi mjekësor Ekenedilichukwu Nnadi nga SUNY Downstate/Kings County Primary Care në New York.

Melatonina është një hormon natyral që truri e prodhon për të rregulluar orën e brendshme të trupit. Marrja e saj, si suplement, në fund të ditës mund të ndihmojë disa persona të bien dhe të qëndrojnë në gjumë.

Në SHBA dhe shumë vende të tjera, melatonina është e disponueshme pa recetë, që do të thotë se pacientët mund ta marrin pa udhëzime mjekësore mbi dozimin ose kohëzgjatjen e përdorimit.

Megjithatë, ndërsa disa studime sugjerojnë se përdorimi afatgjatë është i sigurt, mungon kërkimi i plotë.

Analiza e fundit nga Nnadi ka zbuluar se ata që përdornin melatoninë për më shumë se një vit ishin 3.5 herë më të rrezikuar për hospitalizim nga dështimi i zemrës dhe rreziku për vdekje u rrit nga 4.3 për qind në 7.8 për qind.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë që këto rezultate duhet marrë me kujdes, pasi metodologjia ka kufizime. Nuk u pyetën pjesëmarrësit për përdorimin e melatoninës; u përdorën vetëm regjistrimet e recetave. 

Edhe në përdorim afatshkurtër, melatonina mund të ketë efekte anësore. Për shembull, një seri mbidozash jo-vdekjeprurëse te fëmijët në Australi ka ngritur pyetje mbi sigurinë e saj te grupmoshat më të reja.

“Melatonina mund të jetë hormon natyral, por kjo nuk do të thotë se nuk ka rreziqe”, ka thënë Nnadi.