Vdekjet si pasojë e kancerit të shkaktuar nga konsumimi i alkoolit janë rritur ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara gjatë tri dekadave të fundit, sipas një studimi të ri të prezantuar këtë javë në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO).
Analiza, e cila mbulon periudhën nga viti 1990 deri në 2021, ka treguar se numri i vdekjeve nga kanceri që i atribuohet konsumit të alkoolit është rritur nga 11,896 në 23,207, i cili po konsiderohet dyfishim shqetësues, ka raportuar ABC News.
“Ne tashmë e dimë që duhani është faktor rreziku për kancerin. Por është shumë e rëndësishme të kuptojmë se edhe alkooli është faktor rreziku dhe mund të veprojë si kancerogjen për shumë lloje kancerësh”, ka thënë për ABC News doktori Chinmay Jani, autor kryesor i studimit dhe studiues në qendrën onkologjike Sylvester Comprehensive Cancer Center.
Alkooli si kancerogjen
Në muajin janar, mjekët në SHBA kanë publikuar një paralajmërim zyrtar ku lidhin konsumimin e alkoolit me shtatë lloje kancerësh, përfshirë atë të gjirit dhe zorrës së trashë, duke sugjeruar që etiketat paralajmëruese për rrezikun e kancerit të vendosen në pijet alkoolike.
Agjencia Ndërkombëtare për Studime mbi Kancerin (IARC) e ka klasifikuar alkoolin si një kancerogjen të grupit 1, që do të thotë se ka prova të forta se shkakton kancer. Ai lidhet me kancerin e mëlçisë, gjirit, zorrës së trashë, ezofagut, laringut, gojës dhe fytit.
“Edhe sasi të vogla të alkoolit mund të kenë ndikim negativ në shëndet. Nuk do të thotë që duhet të pini çdo ditë për të qenë në rrezik”, ka theksuar Jani.
Rritje më e madhe te burrat dhe personat mbi 55 vjeç
Studimi ka zbuluar se vdekjet nga kanceri i lidhur me alkoolin janë rritur me 70.2% te burrat dhe me 15.2% te gratë gjatë periudhës së studimit. Sipas Janit, kjo mund të shpjegohet me faktin që burrat fillojnë të konsumojnë alkool në moshë më të re dhe janë më të prirur ndaj sjelljeve të rrezikshme, por edhe për shkak të dallimeve biologjike.
“Kur dikush fillon të pijë që në rini, efektet akumulohen në trup dhe manifestohen në moshë të shtyrë. Këto janë pasoja që nuk i kuptojmë kur jemi të rinj”, ka shpjeguar ai.
Kanceri i mëlçisë: rreziku kryesor
Kanceri i mëlçisë doli të jetë forma më e rrezikshme që lidhet me konsumimin e alkoolit, veçanërisht te personat mbi 55 vjeç. Edhe nivele të ulëta deri të moderuara të konsumit të alkoolit mund të rrisin rrezikun për këtë kancer, veçanërisht nëse individi vuan nga pesha e tepërt, diabeti apo kolesteroli i lartë.
Thirrje për veprim dhe ndërgjegjësim publik
Doktori Gilberto Lopes, shef i onkologjisë mjekësore në Sylvester dhe bashkautor i studimit, bëri thirrje për veprime konkrete në politikën e shëndetit publik.
“Shpresojmë që studimi ynë të ndihmojë në edukimin e publikut mbi ndikimin e alkoolit në rrezikun individual për kancer”, ka thënë ai.
Studimi përdori të dhëna të vetëraportuara për konsumimin e alkoolit, të cilat mund të kenë pasaktësi, por u aplikuan metoda statistikore për të korrigjuar devijimet.
Shkencëtarët ende po punojnë për të kuptuar në nivel biologjik sesi alkooli shkakton kancer.
Organet shëndetësore po rekomandojnë etiketime më të qarta dhe fushata ndërgjegjësimi për të ulur konsumin e alkoolit dhe për të parandaluar rreziqet afatgjata për shëndetin.
Në fund, mesazhi është i qartë: alkooli nuk është i padëmshëm dhe çdo konsum i tij, edhe në sasi të vogla, mund të ndikojë në shfaqjen e kancerit më vonë në jetë.