Konsumimi afatgjatë i alkoolit lidhet me rrezik më të lartë për kancer të zorrës së trashë dhe anusit apo rektumit, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Cancer.
Studiuesit kanë zbuluar se personat që kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli gjatë gjithë jetës kanë deri në 91 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë apo kolorektal, krahasuar me ata që kanë pirë shumë pak ose aspak.
Rreziku rritet veçanërisht te ata që kanë pirë vazhdimisht shumë alkool ndër vite, ka raportuar ABC News.
“Sa më gjatë që dikush konsumon alkool, aq më gjatë zorra e trashë dhe anusi ekspozohen ndaj dëmtimit dhe riparimit të dobësuar, dy mekanizma të rëndësishëm në zhvillimin e kancerit”, ka thënë për ABC News doktoresha Lynn M. O’Connor, shefe e kirurgjisë kolorektale në Mercy Medical Center në New York.
Studimi ka ndjekur mbi 88 mijë të rritur pa histori të mëparshme kanceri. Pjesëmarrësit raportuan konsumin e alkoolit që nga rinia e hershme dhe u monitoruan për gati një dekadë.
Krahasuar me ata që pinin një pije ose më pak në javë, personat që konsumonin mbi 14 pije në javë kishin 25 për qind rrezik më të lartë për kancer kolorektal. Lidhja ishte edhe më e fortë për kancerin e rektumit, ku rreziku pothuajse dyfishohej.
“Kanceri i rektumit shpesh është më i vështirë për t’u trajtuar, prandaj kontrolli dhe zbulimi i hershëm janë edhe më të rëndësishëm”, ka theksuar doktori Jeffrey Farma, kirurg dhe specialist i kancerit kolorektal.
Studiuesit kanë vërejtur se rreziku më i lartë ishte te personat që kishin pirë shumë alkool në çdo fazë të jetës së tyre.
Ata që e kishin tejkaluar vazhdimisht kufirin e rekomanduar kishin 91 për qind më shumë gjasa të zhvillonin kancer, krahasuar me ata që kishin pirë pak ose kishin pasur ndërprerje.
“Këto shifra nuk janë garanci, por sinjale për të vepruar para se të jetë vonë. Kanceri kolorektal është një nga të paktët që mund të parandalohet ose të zbulohet herët, por më pak se 70 për qind e personave me predispozita për t'u prekur nga sëmundja zhvillojnë kontrolle”, ka thënë doktoresha Fola May, specialiste e gastroenterologjisë.
Studimi ka treguar gjithashtu se personat që kanë hequr dorë nga alkooli kishin rrezik më të ulët për zhvillimin e polipeve parakanceroze.
“Këto janë rreziqe të ndryshueshme. Zgjedhjet që bëjmë me kalimin e kohës kanë rëndësi dhe trupi reagon kur këto rreziqe reduktohen”, ka thënë Farma.
Sipas rekomandimeve në SHBA, kontrolli për kancer kolorektal duhet të nisë nga mosha 45 vjeç, përmes testeve të jashtëqitjes, skanimeve ose kolonoskopisë.
“Të gjithë duhet të kontrollohen. Kjo shpëton jetë, dhe njerëzit po vdesin pa nevojë kur e shtyjnë kontrollin”, ka thënë May.
Ekspertët theksojnë se personat me histori të konsumit të rëndë të alkoolit dhe simptoma si gjakderdhje apo ndryshime të vazhdueshme në jashtëqitje duhet të kontrollohen edhe në moshë më të re.
“Nëse keni pirë shumë për një kohë të gjatë dhe shfaqni simptoma, duhet të kontrolloheni, edhe në të 30-at”, ka përfunduar Farma.