Lifestyle

Si ndikon ushqimi juaj në rrezikun për kancer të zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashë

Sipas ekspertëve, rastet me kancer kolorektal apo të zorrës së trashë po rriten në mënyrë alarmante te të rinjtë dhe tashmë është bërë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri te personat nën 50 vjeç.

“Nuk e dimë saktësisht çfarë po e shkakton këtë rritje”, ka thënë onkologia Kimmie Ng nga Dana-Farber Cancer Institute, ka shkruar The New York Times.

Por sipas saj, faktorët që rrisin rrezikun përfshijnë: obezitetin, konsumimin e duhanit, konsumimin e alkoolit, mungesën e aktivitetit fizik dhe dietën e dobët.

Ushqimi ka ndikim të drejtpërdrejtë

“Kanceri kolorektal është veçanërisht i lidhur me ushqimin”, ka shtuar doktoresha Ng.

Një studim i vitit 2019 vlerësonte se rreth 40% e rasteve me këtë lloj kanceri në SHBA lidhen me kequshqyerje. Kjo sepse ushqimi vjen në kontakt të drejtpërdrejtë me murin e zorrëve dhe ndikon në balancën e baktereve “të mira” dhe “të këqija” në zorrë.

Konsumoni më shumë ushqime me fibra

Sipas doktorit Edward Giovannucci, profesor i nutricionit në Harvard, dieta e pasur me fibra nga fruta, perime, drithëra, arra dhe bishtajore ndihmon në uljen e rrezikut për kancer kolorektal.

Doktoresha Heather Greenlee rekomandon rreth 30 gramë fibra në ditë, sasi që mund ta arrini nëse hani një mollë, një gotë brokoli, një gotë quinoa dhe një gotë thjerrëza të ziera.

Në SHBA, të rriturit konsumojnë mesatarisht gjysmën e kësaj sasie.

Fibrat ushqejnë bakteret “e mira” në zorrë, të cilat mund të pengojnë rritjen e baktereve “të këqija” që prodhojnë toksina që dëmtojnë ADN-në në qelizat e zorrës.

Pacientja Jessie Kennedy u gëzua kur mësoi se kafeja, një nga gjërat e saj të preferuara, ndihmon në uljen e rrezikut.

“Kafeja, çaji, frutat dhe perimet janë anti-inflamatore dhe mund të mbrojnë nga zhvillimi apo rikthimi i kancerit”, ka thënë doktoresha Ng.

Sigurohuni që merrni mjaftueshëm kalcium

Kalciumi ndihmon në bllokimin e substancave të dëmshme në zorrë që mund t'i dëmtojnë qelizat. Burime të mira janë: qumështi, kosi, djathi dhe perimet me gjethe të gjelbra.

Një studim me gati 500 mijë pjesëmarrës në SHBA ka zbuluar se ata që konsumonin më shumë kalcium kishin 29 për qind më pak rrezik për të zhvilluar kancer kolorektal gjatë një periudhe prej mbi 20 vjetësh.

“Efekti më i fortë mbrojtës shihet kur kalciumi merret përmes ushqimit, sidomos nga produktet e qumështit”, ka thënë epidemiologia Erikka Loftfield Cronin nga National Cancer Institute.

Sasia e rekomanduar për të rriturit është 1,000 deri në 1,200 mg kalcium në ditë. Një gotë kos përmban rreth 400 mg.

“Gjithashtu, kosi ofron probiotikë që mund t'i pengojnë bakteret e dëmshme të lidhen me kancerin kolorektal”, ka shtuar doktori Giovannucci.

Kufizoni alkoolin, mishin e kuq, atë të përpunuar, si dhe pijet me sheqer

Sipas American Cancer Society, alkooli rrit rrezikun për kancer kolorektal dhe të paktën gjashtë lloje të tjera të kancerit. Ata rekomandojnë të mos konsumohet fare, por nëse pihet, jo më shumë se dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë.

Po ashtu, ka prova që mishrat e përpunuar si sallamet, hot dogët, proshuta apo mishi i thatë, por edhe mishi i kuq (viçi, derri, qengji), sidomos kur gatuhen në temperatura të larta ose tymosen, rrisin rrezikun për kancer.

Sipas një analize, dieta me shumë mish të kuq rrit rrezikun për 30 për qind, ndërsa ajo me shumë mish të përpunuar rrit rrezikun për 40 për qind.

“Shmangni mishin e përpunuar sa më shumë që mundeni dhe kufizoni mishin e kuq në një herë në javë. Zgjidhni më mirë peshk, pulë, djathë tofu ose bishtajore”, ka thënë doktoresha Carrie Daniel-MacDougall nga MD Anderson Cancer Center.

Ajo ka sugjeruar edhe shmangien e ushqimeve dhe pijeve të shumëpërpunuara, si pijet me sheqer apo ëmbëlsirat e paketuara, pasi studimet i lidhin me shëndet të dobët të zorrëve dhe rrezik të lartë për kancer.

“Këto ushqime shpesh përmbajnë aditivë që mund të dëmtojnë mikrobiomën e zorrëve ose shtresën mbrojtëse të zorrëve”, ka thënë ajo.

Kennedy ka hequr dorë nga shumica e ushqimeve të përpunuara dhe është fokusuar tek gatimi në shtëpi me perime të freskëta, djathë tofu, peshk dhe kos.

“Një hamburger ka erë të mirë kur piqet, por tashmë, vetëm aroma më mjafton”, ka thënë ajo.

Përveç dietës ka edhe disa gjëra të tjera që janë me rëndësi

Ekspertët rekomandojnë që njerëzit të bëjnë kolonoskopi ose test të jashtëqitjes për të kapur herët shenjat e kancerit, zakonisht duke filluar nga mosha 45 vjeç.

Gjithashtu, autoritetet shëndetësore këshillojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë (si ecje, vrap, not) dhe dy herë në javë stërvitje me pesha.

“Aktiviteti fizik ndihmon në parandalimin e kancerit të zorrës së trashë”, ka thënë Greenlee.
Një studim i fundit ka treguar se aktiviteti fizik parandalon edhe rikthimin e kancerit te të mbijetuarit.

Gjithsesi, rreziku për kancer zhvillohet për vite me radhë dhe ndikohet edhe nga gjenet.

“Nuk ka garanci që dieta e shëndetshme dhe ushtrimet do ta parandalojnë plotësisht kancerin, por me shumë gjasa do ta ulin rrezikun, dhe do të ndihmojnë edhe kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe problemeve të tjera”, kanë thënë mjekët.

Sipas Giovannucci gjithçka që është e mirë për zorrën e trashë, është e mirë për gjithë trupin.