Një studim i ri në SHBA ka zbuluar një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve nga kanceri të lidhura me konsumimin e alkoolit gjatë tri dekadave të fundit, ka shkruar Fox News.
Sipas hulumtimit të udhëhequr nga studiues të “Sylvester Comprehensive Cancer Center” në Universitetin e Miamit, numri i vdekjeve të lidhura me alkoolin u rrit nga 11,361 në vitin 1990 në 23,126 në vitin 2023, më shumë se dyfishim.
Studiuesit analizuan të dhëna mbi 30-vjeçare nga Global Burden of Disease. Alkooli është klasifikuar prej kohësh si kancerogjen i Grupit 1 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkim mbi Kancerin, por shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm për lidhjen e tij me kancerin.
“Më befasuesja ishte shtrirja e ndikimit të mundshëm të alkoolit në lloje të ndryshme kanceri. Edhe pse lidhja me kancerin e mëlçisë njihet gjerësisht, ndikimi në kancerin kolorektal, të ezofagut, gjirit, pankreasit dhe prostatës është më pak i njohur nga publiku”, ka thënë Chinmay Jani, një nga autorët e studimit.
Kanceri kolorektal, shqetësimi kryesor te të rinjtë
Edhe
Vetëm një pije alkoolike në ditë mund të rrisë rrezikun për 10 lloje kanceri
Studimi tregoi se burrat dhe të moshuarit kanë barrën më të madhe të përgjithshme të numrit të vdekjeve nga kanceri, e që janë të lidhura me alkoolin. Te burrat e moshuar, kanceri i mëlçisë, i ndjekur nga kanceri i ezofagut dhe ai kolorektal, ishin llojet që shkaktonin numrin më të madh të vdekjeve nga kanceri i lidhur me alkoolin.
Te gratë, kanceri i gjirit printe në numrin e vdekjeve të shkatuara nga kanceri i lidhur me alkoolin.
Por te të rriturit e moshës 20 deri në 54 vjeç, tabloja ndryshon. Kanceri kolorektal ishte shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin te burrat dhe i dyti te gratë, duke kaluar kancerin e mëlçisë në të dyja grupet.
Studiuesit theksojnë se ndërgjegjësimi për lidhjen mes alkoolit dhe kancerit mbetet shumë më i ulët sesa për rreziqe të njohura si duhanpirja.
Meqë nuk është përcaktuar një nivel minimal i alkoolit që mund të konsiderohet plotësisht i sigurt për rrezikun e kancerit, ulja e konsumit mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut afatgjatë.
Edhe
Konsumimi afatgjatë i alkoolit rrit rrezikun për kancer të zorrës së trashë
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se studimi nuk mund të provojë se alkooli ishte shkaku i drejtpërdrejtë i çdo vdekjeje, pasi u bazua në të dhëna ekzistuese dhe nuk ndoqi individualisht zakonet e konsumimit të alkoolit.
“Ky studim e bën të qartë se rreziku i kancerit të lidhur me alkoolin nuk kufizohet vetëm te një sëmundje apo një grup njerëzish. Alkooli është një faktor rreziku që mund të ndryshohet dhe edhe ndryshime të vogla e të informuara mund të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë për uljen e rrezikut nga kanceri”, ka thënë Gilberto Lopes, autor i studimit.