Një studim i ri në SHBA ka zbuluar një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve nga kanceri të lidhura me konsumimin e alkoolit gjatë tri dekadave të fundit, ka shkruar Fox News.
Sipas hulumtimit të udhëhequr nga studiues të “Sylvester Comprehensive Cancer Center” në Universitetin e Miamit, numri i vdekjeve të lidhura me alkoolin u rrit nga 11,361 në vitin 1990 në 23,126 në vitin 2023, më shumë se dyfishim.
Studiuesit analizuan të dhëna mbi 30-vjeçare nga Carga global de la enfermedad. Alkooli është klasifikuar prej kohësh si kancerogjen i Grupit 1 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkim mbi Kancerin, por shumë njerëz ende nuk janë të vetëdijshëm për lidhjen e tij me kancerin.
“Më befasuesja ishte shtrirja e ndikimit të mundshëm të alkoolit në lloje të ndryshme kanceri. Edhe pse lidhja me kancerin e mëlçisë njihet gjerësisht, ndikimi në kancerin kolorektal, të ezofagut, gjirit, pankreasit dhe prostatës është më pak i njohur nga publiku”, ka thënë Chinmay Jani, një nga autorët e studimit.
Kanceri kolorektal, shqetësimi kryesor te të rinjtë
Studimi tregoi se burrat dhe të moshuarit kanë barrën më të madhe të përgjithshme të numrit të vdekjeve nga kanceri, e që janë të lidhura me alkoolin. Te burrat e moshuar, kanceri i mëlçisë, i ndjekur nga kanceri i ezofagut dhe ai kolorektal, ishin llojet që shkaktonin numrin më të madh të vdekjeve nga kanceri i lidhur me alkoolin.
Te gratë, kanceri i gjirit printe në numrin e vdekjeve të shkatuara nga kanceri i lidhur me alkoolin.
Por te të rriturit e moshës 20 deri në 54 vjeç, tabloja ndryshon. Kanceri kolorektal ishte shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me alkoolin te burrat dhe i dyti te gratë, duke kaluar kancerin e mëlçisë në të dyja grupet.
Studiuesit theksojnë se ndërgjegjësimi për lidhjen mes alkoolit dhe kancerit mbetet shumë më i ulët sesa për rreziqe të njohura si duhanpirja.
Meqë nuk është përcaktuar një nivel minimal i alkoolit që mund të konsiderohet plotësisht i sigurt për rrezikun e kancerit, ulja e konsumit mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut afatgjatë.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se studimi nuk mund të provojë se alkooli ishte shkaku i drejtpërdrejtë i çdo vdekjeje, pasi u bazua në të dhëna ekzistuese dhe nuk ndoqi individualisht zakonet e konsumimit të alkoolit.
“Ky studim e bën të qartë se rreziku i kancerit të lidhur me alkoolin nuk kufizohet vetëm te një sëmundje apo një grup njerëzish. Alkooli është një faktor rreziku që mund të ndryshohet dhe edhe ndryshime të vogla e të informuara mund të jenë pjesë e një strategjie më të gjerë për uljen e rrezikut nga kanceri”, ka thënë Gilberto Lopes, autor i studimit.