Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka bërë të ditur se konsumimi i alkoolit është shkaktari më i madh i sëmundjes së kancerit në Evropë.
Për këtë, ekspertët kanë deklaruar se politika më të forta të qeverive për ta ndaluar konsumimin e alkoolit, do të mund të parandalonin mijëra raste si dhe vdekje nga kjo sëmundje çdo vit, ka raportuar EuroNews.
Vetëm në vendet e Bashkimin Evropian, ku konsumohet më së shumti, alkooli ka shkaktuar 111.000 raste të reja me kancer në vitin 2020, sipas një raporti të ri shkencor që ka bërë Agency for Research on Cancer, në kuadër të OBSH-së.
Në mbarë botën, gjatë vitit 2020 u regjistruan rreth 741 mijë raste me kancer të lidhura me konsumimin e alkoolit, ku rreth 70 për qind e rasteve të reja u shënuan te burrat.
Përveç pasojave në shëndet, edhe kostoja ekonomike është e madhe. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), trajtimi i rasteve me kancere që lidhen me alkoolin i kushtuan Evropës rreth 4.58 miliardë euro në vitin 2018.
“Rajoni Evropian i OBSH-së, dhe sidomos vendet e BE-së, po paguajnë çmim tepër të lartë për shkak të alkoolit, në forma të kancereve të parandalueshme, familjeve të shkatërruara dhe kostove miliardëshe për taksapaguesit”, ka thënë doktori Gundo Weiler, drejtues i sektorit të parandalimit dhe promovimit të shëndetit në zyrën evropiane të OBSH-së.
Ai ka shtuar se sot disa e quajnë alkoolin “trashëgimi kulturore”, por sëmundja, vdekja dhe paaftësia nuk duhet të normalizohen si pjesë e kulturës evropiane.
Si ndikon alkooli në zhvillimin e kancerit?
Alkooli është klasifikuar si substancë kancerogjene që nga viti 1988 nga Agency for Research on Cancer (IARC). Ai rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje kanceresh, përfshirë ato të gojës, fytit, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë dhe të gjirit te gratë.
Sipas ekspertëve, alkooli shkakton kancer në disa mënyra: duke ndikuar në nivelet hormonale, duke ndryshuar mikrobiomën e zorrëve dhe duke dëmtuar ADN-në përmes stresit oksidativ dhe përbërjes toksike acetaldehid që krijohet gjatë tretjes të etanolit.
Ulja ose ndalimi i konsumit të alkoolit zvogëlon dukshëm rrezikun për zhvillimin e këtyre kancereve.
Raporti i IARC ka theksuar se shumica e rasteve të kancerit të lidhura me alkoolin janë rezultat i konsumit “të rrezikshëm” (dy deri në gjashtë pije alkoolike në ditë) ose “të rëndë” (më shumë se gjashtë pije në ditë). Por edhe “konsumi i moderuar” (më pak se dy pije në ditë) ishte përgjegjës për mbi 100 mijë raste të reja me kancer në vitin 2020.
Si mund të ulet rreziku?
Ky është raporti i parë i IARC që vlerëson përfitimet e mundshme nga parandalimi i kancerit të shkaktuar nga alkooli.
“Sot është e padiskutueshme se politikat që kufizojnë konsumin e alkoolit në nivel popullate e ulin edhe rrezikun nga kanceri”, ka thënë drejtoresha e IARC, doktroresha Elisabete Weiderpass.
Agjencia rekomandon masa të qarta, si: rritja e taksave, vendosja e çmimeve minimale, rritja e moshës ligjore për blerjen e alkoolit, kufizimi i orarit të shitjes, ndalimi i reklamimit dhe kontrolli shtetëror i shitjeve. Sipas saj, këto politika ndihmojnë në uljen e konsumit dhe për rrjedhojë edhe në zvogëlimin e rasteve të reja me kancer.
Një studim i vitit 2021 ka treguar se “dyfishimi i taksave për alkoolin mund të kishte parandaluar 6 për qind të rasteve të reja me kancer dhe vdekjeve të lidhura me alkoolin në vitin 2019” në rajonin evropian të OBSH-së.
“Është jetike të rritet vetëdijesimi se alkooli shkakton kancer dhe se nuk ekziston asnjë nivel i konsumit që mund të konsiderohet i sigurt”, ka theksuar doktoresha Béatrice Lauby-Secretan, zëvendësshefe e degës së IARC për analizë të provave shkencore.
Ajo ka shtuar se çdokush mund të luajë rol në ndryshimin e normave dhe vlerave që lidhen me konsumimin e alkoolit.