Afërsisht një në pesë njerëz nuk e dinë që vuajnë nga diabeti. Derisa kjo është një sëmundje e menaxhueshme, nëse nuk trajtohet mund të shndërrohet në gjendje serioze shëndetësore e cila përfundon me humbjen e shikimit, sëmundjet e zemrës, dështimin e veshkave dhe amputimin.
Prandaj, mbajtja nën kontroll e diabetit është çelësi për ta jetuar një jetë të shëndetshme, raporton portali “Eat This, Not That”.
Ekspertët shëndetësorë i kanë listuar disa prej shenjave që janë tregues të sigurt të kësaj sëmundjeje. Ata po ashtu tregojnë si të mbahet diabeti nën kontroll dhe cilët janë faktorët e rrezikut që e shkaktojnë atë.
Shpeshtimi i urinimit
Nëse ju duhet të shkoni në banjë më shumë se zakonisht, për shembull zgjimi në mes të natës për të urinuar dhe arsyeja nuk shoqërohet me konsumin të shtuar të lëngjeve, kjo mund të jetë një shenjë paralajmëruese e diabetit. Kur trupi ka sasi të lartë të glukozës, veshkat përgjigjen duke e shtuar nevojën e urinimit për të ndihmuar në largimin e glukozës së tepërt.
Mpirja e gjymtyrëve
Nëse filloni të përjetoni mpirje dhe dhimbje të mprehta në duar, krahë, këmbë ose shputa, që shpesh referohen si neuropati, kjo mund të jetë një shenjë e diabetit. Kjo shkaktohet nga një rritja e sheqerit në gjak e cila ndikon në sasinë e gjakut që rrjedh në organe dhe muskuj, duke prekur nervat në të gjithë trupin.
Lodhja e madhe
Fatkeqësisht, sheqeri i ngritur në gjak nuk do të thotë më shumë energji. Trupi nuk është në gjendje ta përdorë sheqerin e tepërt, përkundrazi njerëzit ndihen të lodhur dhe të rraskapitur edhe pas një pushimi të mirë të natës.
Diabeti mund të ndikojë në shumë aspekte të jetës së përditshme. Sëmundja ka potencialin të shkaktojë lëndim ose dëmtim të disa organeve, si sytë, truri, zemra, veshkat dhe lëkura. Kur diabeti nuk është nën kontroll, ai mund të jetë shkatërrues për jetën e njeriut dhe ndikon në aftësinë për të kryer aktivitete personale dhe profesionale.
Faktorët e rrezikut të diabetit
Të qenit mbipeshë dhe të qenit fizikisht joaktivë janë dy faktorët kryesorë të rrezikut për diabetin e tipit 2. Ushqyerja më e mirë dhe stërvitja e rregullt mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes. Po ashtu duhet shmangur konsumimi i mishit të përpunuar, orizit të bardhë dhe pijeve të ëmbla me sheqer. Në vend të kësaj, preferohet ta hahen ushqime me të pasura me lëndë ushqyese si perimet jeshile me gjethe, frutat të pasura me anthocyaninë, produktet cilësore të qumështit, arroret dhe bishtajoret.
Si ta parandalohet sëmundja?
Ngrënia e një diete mesdhetare që është e pasur me peshk, perime, drithëra, fasule, arrore, fara dhe vaj ulliri, mund të jetë e dobishme për parandalimin afatgjatë të diabetit. Ushtrimet aerobike si ecja, noti ose ngasja e biçikletës, mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të glukozës në gjak. Rekomandohen 30 minuta aktivitet aerobik të moderuar disa ditë në javë, për të ndihmuar në parandalimin afatgjatë të kësaj sëmundjeje.
Përktheu: Edona Binaku