Lifestyle

Pse moda zemëroi shumë kë gjatë vitit 2025?

Aktorja Rosamund Pike në një nga shfaqjet e brendit "Dior"

Aktorja Rosamund Pike në një nga shfaqjet e brendit "Dior"

Moda. Kënaqësi për shqisat, burim bukurie, kënaqësie, dhimbjeje dhe humori në absurditetin e saj të qëllimshëm. Por këtë vit, moda ka prodhur më shumë se admirim, ajo ka shkaktuar zemërim të pastër.

Gazetarja e njohur e modës, Rachel Tashjian, ka thënë se reklama e famshme e xhinseve me aktoren Sydney Sweeney, e ka vënë në mëdyshje se a ishin me të vërtetë ato “gjene (xhinse) të mira”?.

Kjo reklamë u shndërrua në një stuhi kulturore aq të fortë sa që vetë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, reagoi në rrjetin social Truth Social, duke e quajtur “reklamën më seksi që ekziston”.

Muaj më vonë, Sweeney ende po sqaron veten në intervista, ndërkohë që çdo prerje flokësh apo zgjedhje veshjeje e saj shihet si deklaratë politike.

Në muajin mars, në Javën e Modës në Paris, disenjatori holandez Duran Lantink, tashmë drejtor kreativ i brendit të njohur “Jean Paul Gaultier”, ka prezantuar një bluzë me gjoks të ekzagjeruar dhe që duket sikur të ishte real, të veshur nga një model burrë. Reagimet ishin aq të forta, sa ish-prezantuesja e Fox News, Megyn Kelly, i kushtoi kësaj veshjeje një segment të tërë në podcastin e saj.

"Jean Paul Gaultier", Java e Modës Në Paris

“Gjithmonë do të ketë njerëz të çrregullt mendërisht në shoqërinë tonë. Dhe pastaj ka edhe përfitues cinikë, si disenjatorët pas kësaj ideje. Zgjidhja e vetme për ne të tjerët është të themi jo, ta quajmë këtë degjenerim dhe të tregojmë sa e neveritshme na duket. Përndryshe, do të humbasim identitetin tonë duke i përkrahur këta njerëz”, ka thënë ajo.

Ani pse Kelly është provokuese, pothuajse çdo diskutim mbi modën në vitin 2025 u bë me ndjesinë se “gjithçka është në rrezik”.

Momente në dukje të pafajshme, si fotografitë nga xhirimet e serialit të ardhshëm të Ryan Murphy, “American Love Story”, për Carolyn Bessette Kennedy dhe John F. Kennedy Jr. (të birin dhe nusen e ish-presidentit amerikan, John Kennedy), shkaktuan debate disa-ditore në TikTok, ku përdoruesit pretendonin se vetëm ata e kuptonin “saktë” stilin e saj.

Fushata e brendit “Miu Miu” me yllin televiziv, Kylie Jenner, ka ngritur pyetje nëse marka “intelektuale” ishte banalizuar, ndërsa brendit “The Row”, shtëpia minimaliste e modws e krijuar nga artistet e famshme me stil, Mary-Kate dhe Ashley Olsen, u përball me kritika kur influencerja Neelam Ahooja njoftoi në Substack se po “ndahej” nga brendi.

Kylie Jenner me çantë "Miu Miu"

Edhe vetë diskutimi për modën u kthye në burim zemërimi.

Gjatë Javës së Modës në Paris për sezonin pranverë/verë 2026, disenjatori Edward Buchanan ka publikuar një apel në Instagram, duke kërkuar më shumë respekt për krijuesit.

“Kam lexuar komente vërtet të tmerrshme për punën e shumë disenjatorëve këto ditë. Ju lutem sillni kritika inteligjente, përndryshe gjithçka kthehet në një festë tallësish nga rehatia e shtëpive tuaja”, ka shkruar ai.

Kjo ka ndezur debat të madh: kush ka të drejtë të kritikojë modën? A duhet të jesh ekspert në sallë, apo mjafton të kesh një platformë në rrjete sociale?

Nuk është rastësi që Fjala e Vitit nga Oxford University Press ishte “rage bait”, përmbajtje e krijuar posaçërisht për të nxitur zemërim.

Sipas Tashjian , edhe kur brendet apo disenjatorët mendojnë se po bëjnë shaka ose po japin atë që publiku dëshiron, reagimi është shpesh lodhje dhe nervozizëm kolektiv.

Të brendshme me qime artificiale nga brendi “Skims”, një produkt thuajse pa vlerë reale, ka shtyrë shumë kë të debatojë seriozisht për kufijtë e lakuriqësisë.

Dasma Sánchez-Bezos u kthye në një gjykim publik mbi shijen e miliarderëve të sotëm, ndërsa ballina e prestigjiozes Vogue me Lauren Sánchez u kritikua, por edhe u lexua me etje.

Gjatë dekadës së fundit, moda ka kaluar ndryshime të mëdha, përballë akuzave për mungesë diversiteti dhe përvetësim kulturor, akuza që shpesh nisnin në rrjete sociale.

Ekzistonte bindja se reagimi publik mund të sillte ndryshim. Moda, në njëfarë mënyre, e shpiku kulturën e “cancel”(anulimit).

Por ajo po ashtu ishte edhe një periudhë e madhe e lirisë së krijimtarisë.

Shfaqjet u ndërtuan për Instagramin, dhe kjo nisi disa vite më parë nga fustani me sprej i brendit “Coperni”, te shfaqja me stuhi bore e brendit “Balenciaga”, ku drejtori kreativ, Demna, i dërgoi modelet në një rrugë të mbuluar me borë artificiale, duke mbajtur qese plehrash si çanta.

Këto spektakle hapën modën për publikun e gjerë, edhe pse herë pas here u kritikuan.

Gjithçka ndryshoi në fund të vitit 2022, kur “Balenciaga” u akuzua për seksualizim të fëmijëve në dy fushata reklamuese. Moda hyri në një debat politik shumë më të ashpër.

Demna kërkoi falje publike, duke thënë se ka gabuar qw ka zgjedhur fëmijë për fushatën.

“Dua të kërkoj personalisht falje për zgjedhjen e gabuar artistike në fushatën me fëmijë. Ishte e papërshtatshme që fëmijët të promovonin objekte që nuk kishin asnjë lidhje me ta”, ka thënë ai.

Që nga ai moment, rrjetet sociale u zhvendosën nga imazhi te ideja.

Njerëzit nuk postojnë më për të shitur një jetë perfekte, por sepse kanë diçka për të thënë.

Shumë figura të modës po kalojnë nga Instagrami në Substack, ku debati vlen më shumë se fotografia.

A do të sjellë viti 2026 një klimë tjetër?

Kreatori Ryan Yip e quajti këtë gjendje “Fashion Zoochosis”.

“Ne dëshirojmë vazhdimisht diçka të re, prandaj e krijojmë vetë risinë. Nëse brendet nuk na stimulojnë, ne e krijojmë stimulimin duke nisur debate, duke qenë kundër gjithçkaje, vetëm sepse jemi të mërzitur”, ka thënë Yip.

Tashjian ka thënë se ndoshta zgjidhja është që njerëzit të largohemi nga momentet e krijuara për algoritmin, e të kthehen te kureshtja, eksplorimi dhe disenjatorët e vegjël që nuk kërkojnë vëmendje me çdo kusht.

Sipas saj kjo ndoshta është mënyra për të dalë nga ky “kafaz” kolektiv.